Kompanitë private për shërbime funerale njoftojnë se me datë 03.03.2022 do të mbajnë protestë te hyrja e objektit të Komunës së vjetër në Prishtinë.
Ata bëjnë të ditur se kërkojnë që të shfuqizohet marrëveshja e arritur ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Bashkësisë Islame të Kosovës për kryerjen e shërbimeve funerale, të shfuqizohet vendimi dhe ndërprerja e pranimit te dëftesave nga BIK-u për subvencionim për familjet që kanë rast vdekjeje.
Po ashtu këto kompani do të protestojnë edhe kundër dhënies në shfrytëzim të objektit tek varrezat e Qytetit të Prishtinës për kryerjen e shërbimeve funerale për Bashkësinë Islame të Prishtinës dhe do kërkojnë nga organet e rendit që të bëhen hetime, pasi siç theksojnë, në hapësirat e Bashkësisë Islame shfrytëzohet vendi për qëndrim të trupave të pa jetë (morg privat) që sipas tyre, është në kundërshtim me ligjin.