Kompania në Danimarkë që prodhon vaksinën e vetme për linë e majmunit

min lexim

Në Danimarkë gjendet kompania e vetme e licensuar për të prodhuar vaksinën për linë e majmunit. Kompania “Bavarian Nordic” me seli në Kopenhagen thotë se ka besim se do të përmbushë kërkesën në rritje në mbarë botën. Kompania ka arritur marrëveshje me disa qeveri pas valës së fundit të përhapjes së këtij virusi, ndër to edhe me qeverinë e Shteteve të Bashkuara, e cila ka lejuar edhe licensimin për ilaçe për linë e majmunit.

Këtu gjendet linja e prodhimit të vaksinës që qeveritë në mbarë globin shpresojnë se do t’i japë fund shtimit të rasteve me linë e majmunit.

Vaksina përdor një formë të dobësuar të virusit që shkakton sëmundjen, e cila është e ngjashme me linë, por është më pak e dëmshme. Ajo nuk shumëfishohet kur futet në trup, por arrin të krijojë një reagim të fortë imunitar.

Në Evropë vaksina tregtohet me emrin IMVANEX, në Shtetet e Bashkuara quhet JYNNEOS dhe IMVAMUNE në Kanada. Në vitin 2019, Administrata amerikane për Ushqimin dhe Barnat (FDA) miratoi përdorimin e saj kundër lisë së majmunit.

“Është si vaksinat tradicionale. Aktivizon sistemin imunitar, e stimulon atë që të jeni më të përgatitur për ta luftuar linë e majmunit kur të infektoheni. Madje mund edhe të përdoret për rastet e personave që mendohet se janë infektuar tashmë“, thotë Rolf Sass Sorensen, nënpresident i kompanisë “Bavarian Nordic”.

Sipas kompanisë, Qendra Evropiane për Reagimin ndaj Emergjencave (HERA) ka porositur 110 mijë doza, qeveria e Shteteve të Bashkuara 500 mijë doza, si dhe Kanadaja ka angazhuar 56 milionë dollarë për të blerë vaksina. Nga kërkesa e menjëhershme, kompania ka rritur katër herë parashikimin për të ardhurat financiare gjatë vetëm disa javëve.

Qendrat amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve thonë se nga të dhënat e mëparshme nga Afrika rezulton që edhe vaksina ndaj lisë ofron të paktën 85% efektshmëri në parandalimin e lisë së majmunit, dhe se të dyja vaksinat janë të efektshme për t’i mbrojtur njerëzit, nëse u injektohet përpara ekspozimit. Nëse merret pas infektimit, besohet se vaksina mund të ndihmojë për të ulur ashpërsinë e infeksionit.

Kompania beson se është në gjendje të përmbushë kërkesën globale, megjithëse ka vetëm një fabrikë.

“Kemi një fabrikë shumë moderne dhe shumë të madhe këtu në Danimarkë dhe mund të prodhojmë 30 milionë doza në vit. Pra, është një kapacitet shumë i madh krahasuar me kërkesën e tanishme. Mendojmë se e kemi situatën nën kontroll dhe po monitorojmë me kujdes kërkesën globale çdo ditë”, thotë zoti Sorensen.

Deri një muaj më parë, lija e majmunit nuk kishte shkaktuar përhapje të mëdha përtej Afrikës. Shkencëtarët nuk kanë konstatuar mutacione të virusit që të sugjerojnë se virusi është bërë më i transmetueshëm, dhe një këshilltar kryesor i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha muajin e kaluar se rritja e rasteve në Evropë ka gjasa të ketë lidhje me aktivitetin seksual të meshkujve homoseksualë dhe biseksualë në dy festa masive në Spanjë dhe Belgjikë.

Gjatë një konference për shtyp këtë muaj, drejtori i OBSH-së për Evropën, dr. Hans Kluge, tha se përhapja përbën një “rrezik të vërtetë”.

“Sa më shumë të qarkullojë ky virus, aq më shumë do të shtrihet, dhe aq më e fortë do të jetë prania e sëmundjes në vendet jo-endemike. Qeveritë, strukturat e kujdesit shëndetësor dhe shoqëria civile duhet të veprojnë me urgjencë për ta vendosur nën kontroll përhapjen e këtij virusi”, tha dr. Kluge.

Më 25 qershor, OBSH-ja tha se përhapja e lisë së majmunit në mbi 50 vende duhet të monitorohet nga afër, por se nuk është ende në stadin për t’u shpallur një emergjencë globale shëndetësore./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Lukaku mbërrin në Itali

Story i radhës

Albini si Rugova

Të fundit nga