Komiteti Teknik i Ekspertëve kërkoi sot që popullata të mbajë sërish maska në mjedise të mbyllura.
Mira Rakacolli tha se kërkesa vjen pasi janë shtuar shumë rastet e infektimit me kovid.
24 orët e fundit, me afro 1 mijë raste të reja, një në 2 tamponë doli pozitiv.
Rakacolli pohoi se prej disa javësh është shënuar një rritje e të infektuarve me COVID dhe humbjeve të jeës.
”Komiteti ka ndjekur me vëmendje zhvillimin e situatave epidemiologjike në vend. Pas një periudhe të stabilizuar të përhapjes së infeksionit, prej disa javësh ka filluar një rritje e numrit të të infektuarve, por edhe të sëmurëve dhe humbjeve të jetës.
Trendi i rritjes është vënë re sidomos javën e kaluar, ku numri i infektimeve është shtuar ndjeshëm, ku ka pasur dhe humbje të jetës. Kjo ka ndodhur nga qarkullimi i varianti Omicron.
Të pavaksinuarit rrezikojnë dhe te vaksinuarit. Mbani maskën në ambientet e mbyllura”, tha Rakacolli, ndërsa qëndronte në një sallë të mbyllur me Tominin, Binon dhe Çomon, pa maska.
Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive Silva Bino ngriti alarmin për një tjetër variant që po përhapet me shpejtësi që është BA5-a. Bino theksoi se të dhënat për këtë variant janë të pakta për transmetueshmërinë dhe vdekshmërinë.
“BA5 është varianti që qarkullon në botë. Në rand europian vihet re një rritje me shpejtësi e BA5 dhe nuk kemi të dhëna me format që ky variant shkakton në lidhje me severitetin, rëndësia e sëmundjes dhe sa vdekje shkakton.
Kemi të dhëna të pakta dhe për transmetueshmërinë e këtij varianti në ndryshim nga BA2. Fakti që ky variant predominon dhe BA2 në rang botëror ka ulje, na tregon rëndësinë që duhet të ketë vaksinimi.
Është emergjencë doza e tretë për personat që kanë bërë dy dozat e para dhe ata që nuk kanë kryer asnjë dozë, janë risk i madh dhe dëmtojnë të tjerët”, tha Bino.