Komisioni i Etikës akuzon Matt Gaetz se pagoi rregullisht përs seks, përfshirë një minorene

December 23, 2024
min lexim

Komisioni i Etikës së Dhomës së Përfaqësuesve akuzoi të hënën ish ligjvënësin Matt Gaetz se kishte paguar “rregullisht” gra, përfshirë një vajzë 17-vjeçare, për të kryer marrëdhënie seksuale; si dhe për blerje dhe përdorim drogash, gjatë kohës kur republikani nga Florida ishte anëtar i Kongresit.

Raporti prej 37 faqesh nga një komision dypartiak përfshin detaje të qarta të festave ku përfshiheshin akte seksuale si dhe të pushimeve, në të cilat Gaetz, tani 42 vjeç, kishte marrë pjesë, ndërsa ishte ligjvënës si përfaqësues i pjesës perëndimore të Floridës. Sipas raportit, me këto sjellje ai ka shkelur një sërë ligjesh gjatë kohës që ishte në detyrë.

“Komisioni arriti në përfundimin se ka prova të konsiderueshme se ligjvënësi Gaetz ka shkelur rregullat e Dhomës së Përfaqësuesve dhe standardet e tjera të sjelljes që ndalojnë prostitucionin, seksin me minorene, përdorimin e drogave, dhuratat e palejuara, favoret ose privilegjet speciale si dhe për pengim të punimeve të Kongresit”, thuhet në raport.

Hetimet e Komisionit të Etikës për Matt Gaetzin zgjatën gati pesë-vjet. Raporti u bë publik pasi një anëtar republikan i tij bashkoi votën me pesë anëtarët demokratë në përbërje të Komisionit, në një votim të fshehtë. Fillimisht anëtarët republikanë të komisionit si dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, ishin kundër publikimit të gjetjeve të raportit.

Raportet e Komisionit të Etikës janë publikuar edhe më parë, por është jashtëzakonisht e rrallë që kjo të ndodhë pas dorëheqjes së një anëtari të Kongresit.

Zoti Gaetz ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje dhe tha javën e kaluar se tani që nuk është më anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve nuk do të kishte më “asnjë mundësi për të debatuar apo hedhur poshtë” gjetjet.

Të hënën, zoti Gaetz ngriti një padi për të bllokuar publikimin e raportit, duke thënë se ai përmbante “informacione të pavërteta dhe shpifje” që do të “dëmtonin ndjeshëm” “integritetin e tij në komunitet”.

Zoti Gaetz argumenton se që nga momenti që ai dha dorëheqjen nga Kongresi, ai nuk është më nën juridiksionin e Komisionit.

“Qëndrimi i Komisionit se mund të publikojë gjithsesi gjetje potencialisht shpifëse për një qytetar privat mbi të cilin pretendon se nuk ka juridiksion përfaqëson një zgjerim të pashembullt të pushtetit të Kongresit, që kërcënon të drejtat themelore kushtetuese dhe garancitë e mbrojtjes që ofron ligji për një proces të drejtë”, shkruhet në padinë e depozituar nga avokatët e zotit Gaetz.

Komisioni me përbërje dypartiake, shpesh i fshehtë, ka hetuar akuzat kundër zotit Gaetz që nga viti 2021. Megjithatë, puna e tij u bë më urgjente muajin e kaluar, kur Presidenti i zgjedhur Donald Trump e emëroi zotin Gaetz për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, (post i barazvlefshëm me atë të Ministrit të Drejtësisë).

Zoti Gaetz dha dorëheqjen nga Kongresi po atë ditë, duke bërë që Komisioni i Etikës të mos kishte më të drejtë ligjore për të ushtruar veprimtarinë hetimore ndaj tij.

Por demokratët ushtruan trysni për ta bërë publik raportin edhe pasi zoti Gaetz ishte larguar nga Kongresi dhe pasi ishte tërhequr edhe nga emërimi për të drejtuar Departamentin e Drejtësisë.

Në fillim të këtij muaji, Dhoma e Përfaqësuesve hodhi poshtë kërkesën për publikimin e raportit. Vetëm një republikan votoi në mbështetje të bërjes publike të tij, ndërsa të gjithë ligjvënësit e tjerë të Partisë Republikane, mbështën bllokimi e raportit.

Burimi: botasot.info

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

‘Ford’ jep një milion dollarë donacion për inaugurimin e Presidentit Trump

Të fundit nga

ShkoLartë