UASHINGTON – Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve që po heton sulmin e janarit 2021 ndaj Kapitolit do të paraqesë prova këtë javë se ish-Presidenti Donald Trump ishte përfshirë në një përpjekje të dështuar për të paraqitur tabulate zgjedhore të rreme e për të caktuar elektorë pro tij, për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, tha të dielën një nga ligjvënësit kryesorë.
“Ne do të tregojmë prova të përfshirjes së presidentit në këtë skemë”, tha Ligjvënësi demokrat Adam Schiff, anëtar i komisionit të posaçëm të Dhomës së Përfaqësuesve, në emisionin “State of the Union” të kanalit CNN.
“Ne gjithashtu do të tregojmë sërish prova rreth asaj që mendonin avokatët e tij për këtë skemë dhe do të tregojmë se si zyrtarë të guximshëm shtetërorë kundërshtuan dhe thanë se nuk do ta ndiqnin këtë plan, as për të mbledhur sërish organet legjislative (në shtetet e kontrolluara nga republikanët) dhe as për të penguar çertifikimin e fitores së demokratit Joe Biden”, tha ai.
Komentet e zotit Schiff erdhën ndërsa komisioni i udhëhequr nga demokratët përgatitet të mbajë dëgjesën e katërt publike të martën në kuadrin e hetimeve mbi sulmin e 6 janarit 2021 dhe rolin e ish-Presidentit Trump në përpjekjen për të bllokuar Kongresin që po çertifikonte fitoren në zgjedhje të zotit Biden.
Adam Schiff
Provat kundër ish-Presidentit Trump mund të jenë ndoshta thelbësore për një hetim penal që po zhvillohet nga Departamenti i Drejtësisë për komplotin e pretenduar për përzgjedhjen e elektorëve të rremë.
Në një intervistë për kanalin CNN në fillim të këtij viti, Zëvendës Prokurorja e Përgjithshme Lisa Monaco konfirmoi se departamenti kishte marrë kallëzime në lidhje mbi të dhënat e rremë që u dërguan në Arkivin Kombëtar dhe tha se prokurorët po i shqyrtonin ato.
Në mars, organizata mbikëqyrëse jofitimprurëse “American Oversight” publikoi kopje të tabulateve false elektorale, të cilat ishin mbledhur nga grupe mbështetësish të ish-Presidentit Trump në shtetet Arizona, Xhorxhia, Miçigan, Nju Meksiko, Nevada, Pensilvani dhe Uiskonsin.
Që atëherë, Departamenti i Drejtësisë ka ngritur një juri të madhe për të thirrur dëshmitarë dhe për të marrë dokumentacion në kuadrin e këtij hetimi, kanë raportuar disa prej mediave.
Jamie Raskin, një tjetër anëtar demokrat i komisionit, tha të dielën për emisionin “Meet the Press” të kanalit NBC se vazhdonin të vinin informacione të reja.
“Ka ende njerëz që po i japin informacion komisionit”, tha ai. “Ne dimë gjëra këtë fundjavë që nuk i dinim më parë”.
Javën e kaluar, Departamenti i Drejtësisë paraqiti sërish kërkesën që komisioni i posaçëm i Dhomës së Përfaqësuesve të dorëzojë transkriptet e intervistave të tij me dëshmitarët, duke thënë në një letër se këto transkripte mund të jenë të rëndësishme për hetimet dhe ndjekjet penale në vazhdim.
Fakti që komisioni nuk i ka dorëzuar ato “ndërlikon aftësinë e departamentit për të hetuar dhe ndjekur penalisht ata që janë përfshirë në shkelje penale”, thuhej në letër.
I pyetur të dielën në lidhje me letrën, zoti Schiff tha se zakonisht dy këto dy degë të ndara të qeverisë nuk e lejojnë njëra-tjetrën të “shfletojnë” dosjet e njëri-tjetrit.
Megjithatë, ai shtoi se: “Kur Departamenti i Drejtësisë kërkon gjëra konkrete… ne punojmë me ta dhe do të punojmë me ta për këtë”.
Ndërkohë, ish-Presidenti Trump ka vazhduar të bëjë pretendime false se zgjedhjet e vitit 2020 janë vjedhur. Të premten, ai sulmoi ish-Nënpresidentin Mike Pence, duke thënë se ai “nuk pati guximin të vepronte” dhe të kundërshtonte rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.
Adam Kinzinger
Të dielën, Adam Kinzinger, një nga dy republikanët që shërbejnë në komision, tha se kishte marrë kërcënime me vdekje ndaj tij, bashkëshortes dhe fëmijës së tyre.
“Kërcënimi erdhi me postë, në shtëpinë time”, tha ai në emisionin “This week” të kanalit ABC.
“Disa ditë më parë më kërcënuan se do të më ekzekutojë si mua ashtu edhe gruan e fëmijën tim pesë muajsh. Asnjëherë nuk kam parë apo dëgjuar diçka të tillë”, shtoi ai./VOA