UASHINGTON – Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për hetimin e sulmit të 6 janarit ka intervistuar ish-sekretarin e Thesarit Steven Mnuchin dhe po negocion për të biseduar me disa ish-anëtarë të tjerë të kabinetit të ish-Presidentit Donald Trump, ndërsa shqyrton me kujdes ditët pas sulmit në Kapitol dhe diskutimet nëse duheshin bërë përpjekje për ta larguar presidentin e atëhershëm nga detyra.
Negociatat vijnë ndërkohë që komisioni intervistoi të enjten shefin e dikurshëm të kabinetit të ish-Presidentit Trump, Mick Mulvaney. Ish kongresmeni i Karolinës së Jugut e mbajti këtë detyrë deri në vitin 2020. Në vazhdim ishte i dërguar i posaçëm për Irlandën e Veriut, një post nga i cili dha dorëheqjen menjëherë pas trazirave më 6 janar 2021.
Intervistat dhe negociatat u konfirmuan nga tre persona të njohur me punën e komisionit, të cilët nuk ishin të autorizuar për të diskutuar zhvillimet publikisht dhe folën në kushte anonimiteti.
Komisioni e pyeti zotin Mnuchin në lidhje me diskutimet mes anëtarëve të kabinetit qeveritar për të aktivizuar ndoshta procesin kushtetues të parashikuar në Amendamentin e 25-të, për ta shkarkuar ish-Presidentin Trump pas sulmit në Kapitol, sipas një prej personave në dijeni. Komisioni është në bisedime aktive për të intervistuar ish-Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo. Zoti Pompeo ka të ngjarë të paraqitet në ditët në vijim, tha personi në dijeni të çështjes.
Mike Pompeo
Komisioni ka intervistuar tashmë ish-Prokurorin e Përgjithshëm në detyrë Jeffrey Rosen, ish-Sekretarin e Punës, Eugene Scalia dhe ish-Sekretarin në detyrë të Mbrojtjes, Christopher Miller, ndërsa është përqëndruar tek ish-Presidenti Trump dhe veprimet e tij në ditët para, gjatë dhe pas trazirave.
Ligjvënësit janë gjithashtu në diskutime me John Ratcliffe, ish-drejtor i zbulimit kombëtar, sipas dy personave në dijeni, dhe po kërkojnë intervista me disa zyrtarë të lartë të zbulimit që kishin në kontakt me Shtëpinë e Bardhë në atë kohë.
Zoti Ratcliffe mori pjesë në një seancë informimi të klasifikuar mbi sigurinë zgjedhore në fund të dhjetorit 2020, me kërkesë të Jeffrey Clark-ut, një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë që mbështeste pretendimet e ish-Presidentit Trump për manipulime zgjedhore.
Një person në dijeni të çështjes tha se zoti Ratcliffe paraqiti një përmbledhje të gjetjeve të një raporti të sigurisë zgjedhore që thoshte se agjencitë e zbulimit nuk kishin “tregues se ndonjë aktor i huaj u përpoq të ndryshonte ndonjë aspekt teknik të procesit të votimit në zgjedhjet e vitit 2020 në Shtetet e Bashkuara, përfshirë regjistrin e votuesve, procesin e votimit, tabulatet e votave ose raportimin e rezultateve”.
John Ratcliff
Ish-Presidenti Trump dhe këshilltarët e tij të jashtëm që po nxisnin pretendimet e pavërtetuara për manipulime kishin sugjeruar se Venezuela ishte përpjekur disi të ndryshonte numërimin nëpërmjet makinerive të votimit.
Përqëndrimi i vëmendjes tek kabineti qeveritar është një nga drejtimet që komisioni po ndjek pasi ka paraqitur të dhëna në tetë seanca dëgjimore këtë verë. Pas një hetimi njëvjeçar dhe më shumë se 1000 intervistash, anëtarët e komisionit thonë se ekzistojnë ende shumë më tepër gjëra që duan të mësojnë.
Komisioni pritet të organizojë seanca dëgjimore të mëtejshme në shtator.
Hetuesit kanë kontaktuar gjithashtu ish-Sekretarin e Sigurisë Kombëtare, Chad Wolf, i cili dha dorëheqjen në ditët pas trazirave dhe ligjvënësit mund të thërrasin edhe zyrtarë të tjerë të kabinetit Trump.
Betsy DeVos, sekretarja e arsimit e ish-Presidentit Trump, i tha më parë gazetës USA Today se ajo ngriti me Nënpresidentin Mike Pence pyetjen nëse kabineti duhet të shqyrtojë aktivizimin e Amendamentit të 25-të, i cili do të kërkonte që nënpresidenti dhe shumica e kabinetit të binin dakord, se presidenti nuk mund të përmbushte më detyrat e tij.
Betsy DeVos
Zonja DeVos dha dorëheqjen një ditë pas sulmit, duke fajësuar ish-Presidentin Trump për nxitjen e turmës.
“Nuk ka asnjë dyshim për ndikimin që retorika juaj ka patur tek situata dhe kjo është pika kulmore për mua”, shkruajti ajo.
Në një tubim në mëngjesin e 6 janarit, ish-Presidenti Trump i kishte thënë një turme mbështetësish të tij që të “luftonin si dreqi” ndërsa Kongresi u mblodh për të çertifikuar fitoren në zgjedhje të Joe Biden-it dhe protestuesit po përsërisnin pretendimet e pavërtetuara të ish-Presidentit Trump ndërsa hynë në Kapitol dhe çanë me forcë kordonin policor.
Gjithashtu, Elaine Chao dha dorëheqjen nga posti i sekretares së transportit më 7 janar. Zonja Chao, e cila është e martuar me drejtuesin e republikanëve në Senat, Mitch McConnell, tha se sulmi “më kishte shqetësuar thellësisht në një mënyrë që thjesht nuk mund ta lë mënjanë”.
Zoti Pompeo, i cili tani po shqyrton mundësinë e kandidimit për president në vitin 2024, dhe zoti Mnuchin, raportohet se kanë diskutuar mundësinë e aktivizimit të Amendamentit të 25-të, shkruan në librin e tij “Tradhtia” Jonathan Karl i kanalit ABC News.