Përpara takimit të ministrave të Energjisë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ku do të diskutohen masat për uljen e çmimit të energjisë, Komisioni Evropian doli me një propozim për të kufizuar çmimin e një kilovat orë gaz në 275 euro, shkruan BBC.
“Ne propozojmë vendosjen e një tavani për çmimin e gazit në TTF (Title Transfer Facility) për të mbrojtur qytetarët dhe kompanitë tona nga rritjet ekstreme të çmimeve”, ka thënë komisionerja e Komisionit Evropian për Energji, Kadri Simson.
Sipas këtij propozimi, kufiri i çmimeve do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit të ardhshëm. Por kufiri do të aktivizohej vetëm nëse niveli i çmimit tejkalonte çmimin global të gazit me më shumë se 55 euro.
Simson ka thënë se ky propozim ishte përshtatur me kujdes për të mos rrezikuar sigurinë e furnizimit me gaz, të cilit disa vende e kishin frikë dhe e përdorën si argument kundër kufirit të çmimeve.
Shtetet anëtare janë ende të ndara mbi idenë e një kufiri të çmimit të gazit, edhe pse shumica e tyre janë në favor të kufirit. Kundër saj janë Holanda, Gjermania, Austria dhe Hungaria. Vendet që kërkuan kufirin besojnë se çmimi i lartë është rezultat i spekulantëve në treg. Dhe ata që janë kundër mendojnë se tregu nuk duhet të ndërhyhet dhe se duke kufizuar çmimin, kriza mund të përkeqësohet më tej dhe të kërcënojë sigurinë e furnizimit me gaz.
Propozimi për ndërhyrjen dhe korrigjimin e çmimit të gazit i referohet importit total pavarësisht nga burimi i gazit. Pra, kjo nuk do të zbatohet vetëm për gazin nga Rusia, e cila gjithsesi përbën vetëm një përqindje të vogël të totalit të importeve të BE-së.
Burimi: GAZETA.MK