Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian (BE), Oliver Varhelyi lidhur me tërmetin me qendër në Kahramanmaraş tha se gjenerata e tij nuk ka parë një tërmet të tillë, nuk ka përjetuar një fatkeqësi të tillë, raporton Anadolu.
Varhelyi foli në një konferencë të përbashkët e cila u mbajt pas takimit të zhvilluar në Ministrinë e Jashtme turke me ministrin e Jashtëm të Türkiye-s, Mevlüt Çavuşoğlu dhe ministrin suedez të Zhvillimit Ndërkombëtar Johan Forssell, në emër të Suedisë e cila ka presidencën e Këshillit të BE-së.
“Prania ime në Ankara është një lumturi e madhe, por ardhja pas kësaj ngjarjeje të trishtë nuk sjell lumturi”, tha Varhelyi i cili tha se janë të shokuar për shkak të përmasës së fatkeqësisë dhe se populli turk ka qenë i detyruar të përballet me këtë.
“Ne jemi pranë populli turk. Për këtë arsye ndodhemi këtu. Jemi këtu sepse jemi miq dhe aleatë. Ju mendojmë juve dhe ndodhemi këtu për të ndihmuar”, tha Varhelyi.
Ai shprehu ngushëllime për familjet që kanë humbur të afërmit e tyre. “Gjenerata ime nuk ka parë kurrë një tërmet të tillë, nuk ka përjetuar një fatkeqësi të tillë. Dhimbja e përjetuar është në përmasa të pabesueshme. Edhe ne në këtë kuptim duhet të mbështesim dhe të jemi pranë Türkiye-s për ta ndihmuar Türkiye-n dhe që populli turk ta kapërcejë këtë”, tha Varhelyi.
Komisioneri Varhelyi theksoi se kjo është gjithashtu koha që Komisioni Evropian (KE) të tregojë solidaritet me Türkiye-n dhe popullin turk.
Duke nënvizuar se ky solidaritet është në nivel jashtëzakonisht të lartë, Varhelyi shtoi se kjo vizitë është një shenjë e rëndësishme e solidaritetit dhe se do të qëndrojnë pranë Türkiye-s që nga fillimi e deri në fund.