Të rinjtë po bisedojnë me qetësi pranë një kafeneje hipsterash në qendër të Kievit.
Është një nga vendet e shumta me kafe të shkëlqyer, diçka për të cilën qyteti është bërë i njohur vitet e fundit. Një grup miqsh po luajnë pingpong aty pranë në diellin e pasdites, raporton BBC, përcjell “Bota sot”.
“Ne jemi rihapur dhe do të vazhdojmë të punojmë për aq kohë sa të kemi mundësi”, na thotë baristi Mykola. “Ne po e bëjmë këtë për t’i bërë njerëzit të buzëqeshin.”
Kafeneja Kashtan ku ai punon është një nga vendet që u shërben klientëve që ende qëndrojnë në qytet.
“Vdekje pushtuesve rusë. Kafeja për mbrojtësit është falas”, thotë një tabelë në një kafene tjetër.
Shumë restorante dhe kafene në Kiev janë kthyer në kuzhina fushore, duke gatuar mijëra vakte falas për mbrojtësit e qytetit ose njerëzit në nevojë.
Disa u shërbejnë edhe klientëve, në përpjekje për të sjellë një ndjenjë normaliteti tek banorët, duke funksionuar me orë të kufizuara për të respektuar shtetrrethimin ditor. Autoritetet e Kievit kanë krijuar një hartë të kafeneve dhe bizneseve të tjera të hapura tani.
Pamje nga Kievi