Shkup, 29 nëntor – Komisioni për mbrojtje dhe parandalim nga diskriminimi (KMPD) vlerëson se Projektligji për nëpunësit administrativë shkakton “diskriminim strukturor në përmasa të mëdha”, sepse i vë në gjendje të pafavorshme dhe të pabarabartë 25.000 administratorë në pjesën e përcaktimit të pagave. Sipas Komisionit, në tekstin e propozuar ligjor kontestohet neni 71, me të cilin rregullohet llogaritja e pagës bazë të nëpunësve administrativë.
Nga KMPK theksojnë se nëse miratohet në këtë formë, ligji do të krijojë kushte për trajtim të pabarabartë të një numri më të madh të nëpunësve administrativë të punësuar në institucionet e sektorit publik, të cilët do të vihen në një situatë më pak të favorshme krahasuar me nëpunësit administrativë që punojnë në të njëjtin nivel në ministri dhe sekretariate.
“Në këtë mënyrë 5.000 të punësuar në ministri dhe sekretariate do të marrin pagë mesatare prej rreth 10.000 denarë më të lartë se nëpunësit administrativë të punësuar në nivel të njëjtë në sektorin publik. Kjo është diskriminim strukturor në përmasa të mëdha”, tha kryetari i Komisionit, Ismail Kamberi.
Ai theksoi se është dashur të reagojë Komisioni, duke nxjerrë një mendim ekspert parandalues të dorëzuar në Qeveri dhe në Ministrinë e Shoqërisë Informatike, me kërkesë për tërheqjen e propozimit.
Kamberi konsideroi se bëhet dallim i pajustifikuar mes zyrtarëve nëpunësve administrativë në bazë të asaj se cilin institucion janë të punësuar.
Komisioni vlerëson se kjo mënyrë ndikon negativisht në motivimin, efektivitetin dhe efikasitetin e punës së disa punonjësve në administratë, të cilët me këtë propozim do të merrnin paga më të ulëta.
Burimi: zhurnal.mk