Como u rikthye në Serie A pas 21 vitesh, por ambicia dhe paratë nuk mungojnë në klub, me drejtuesit që po punojnë për ndërtimin e një skuadre që nuk do të tentojë vetëm mbijetesën.
Përkundrazi, në qytetin e liqenit të famshëm italian kanë nisur të ëndërrojnë. Raphaël Varane, kampion bote me Francën dhe 4 herë fitues i Champions League me Realin, do të jetë përforcimi i radhës.
Qendërmbrojtësi doli i lirë pas përfundimit të aventurës me Manchester United. Bisedimet me trajnerin Cesc Fabregas kanë rezultuar pozitive. Dhe 31-vjeçari ka rënë dakord të jetë pjesë e Comos.
Por jo vetëm Varane, pasi klubi më i pasur në Serie A po tenton edhe afrimin e dy sulmuesve të njohur. Bëhet fjalë për Memphis Depay dhe Anthony Martial, të cilët pritet t’i shtojnë cilësi dhe përvojë ofensivës së skuadrës italiane.
Lojtarë që janë të lirë, si pasojë e përfundimit të bashkëpunimeve me Atletico Madrid dhe Manchester United.
Como ka afruar deri tani emra si Pepe Reina, Andrea Belotti, Alberto Moreno dhe Alberto Dossena. Klubi po tenton edhe huazimin e Luka Romeros nga Milani, teksa janë siguruar edhe marrëveshjet me Rodri Sanchez dhe portierin Pau Lopez.
Burimi: botasot.info