Klubi i Brest në elitën franceze ka vendosur të ndërpresë kontratën e Youcef Bilaili. Algjeriani i cili u transferua tek Brest në janar duket se e ka “mbushur kupën” dhe drejtuesit nuk kanë pasur opsione tjetër veçse t’i tregojnë derën.
Arsyeja? Në fakt, janë disa të tilla pasi prej momentit kur ka mbërritur te Brest, Bilaili ka katranosur shumë situata.
Së pari, në muajin korrik kur ekipi nisi përgatitjet për sezonin e re, Bilaili dërgoi për vizitat mjekësore kushuririn e tij me idenë se në klub nuk do ta dallonin. Algjeriani në atë periudhë ishte ende me pushime dhe nuk kishte për qëllim t’i ndërpriste ato.
Sakaq, Brest më pas zbuloi se lojtari kishte shkatërruar plotësisht shtëpinë me qera në të cilën ishte akomoduar nga klubi. Për pesë muaj që Bilaili jetoi në atë shtëpi shkaktoi një dëm prej 50.000 euro teksa u desh që të ndërrohëshin dyshekët, parketi i deformuar nga lagështira, dyert e prishura ndërsa u zbuluan edhe shumë bishta cigaresh në vaskë.
Por, nuk mbaron me kaq pasi Bilailit i doli nami edhe në hotelet e qytetit të cilat e vendosën emrin e tij në listën e zezë të klientelës pasi futbollisti nuk donte t’ia dinte për mirëmbajtje.
Bëmat e 30-vjeçarit vazhdojnë me lojtarin që refuzoi të kthehej në Brest me autobuzin e skuadrës pas një transfertë në Paris, ndërsa qëndroi në kryeqytet duke shpenzuar para me anë të llogarisë së klubit. Një tjetër “shpikje” e Bilailit ishte edhe shtirja si i sëmurë për të mos marrë pjesë në foton zyrtare të skuadrës ndërsa ajo që i “vendosi kapakun”, ishte udhëtimi në Algjeri pa marrë leje nga klubi. Në këtë formë, drejtuesit e Brest u detyruan të merrnin vendimin më ekstrem për të shkëputur në mënyrë të njëanshme kontratën e sulmuesit anësor.