Trajneri i Liverpoolit Jurgen Klopp ka folur në një konferencë për media para ndeshjes kthyese ndaj Interit në Ligën e Kampionëve që zhvillohet të martën në stadiumin “Anfield Road” me fillim nga ora 21:00.
“Thed Reds” kanë avantazhin e dy golave nga ndeshja e parë e zhvilluar në “Giuseppe Meazza” dhe të gjithë e shohin skuadrën angleze një hap larg fazës çerekfinale të kësaj gare, por i këtij mendimi nuk është trajneri gjerman Jurgen Klopp.
Ai ka thënë se epërisa prej 2-0 nuk do të thotë asgjë para kësaj ndeshje sepse është një rezultat që di të përmbyset në futboll.
“Rezultati i ndeshjes së parë ishte më i mirë se pritshmëritë e mia, por 2-0 është rezultati më i përmbysur në historinë e futbollit. Ne presim një ndeshje të vështirë për të luajtur”, tha fillimisht Klopp.
“Në ndeshjen e parë pati shumë vështirësi. Absolutisht nuk duhet të mendojmë se jemi tashmë të kualifikuar. Interi nuk do të vijë këtu për pushime. Në ndeshjen e fundit fituan 5-0, do të përpiqen të fitojnë prapë dhe ne do të bëjmë të njëjtën gjë, duke e ditur se ka ende një lojë për të luajtur para se të jemi të sigurt për çerekfinalen”, tha në fund ai.