Sadio Mane padyshim është një nga humbjet më të mëdha të Liverpool gjatë kësaj vere.
Lojtari më i mirë afrikan i vitit, Sadio Mane vendosi që gjatë kësaj vere të transferohej te skuadra e Bayern Munich.
Për lëvizjen që bëri, Mane duket se e kishte lajmëruar trajnerin Jurgen Klopp qysh moti. Kështu së paku thotë trajneri gjerman, në disa detaje të dhëna së fundmi lidhur me largimin e Mane.
“Sadio më tregoi dhe agjenti i tij më tregoi që po kërkonin një aventurë të re. Nëse kjo ndodh herët mjaftueshëm, si në rastin e tij, dhe nëse ndodh në mënyrën e duhur dhe lojtari dhe agjenti punojnë, dhe klubi ku ata shkojnë është gati për negociata, atëherë duhet të jetë siç është tani”, ka thënë Klopp.
“Atëherë thua faleminderit me respektin më të madh të mundshëm. Nuk mund të kem më shumë respekt për Sadio, për lojtarin që është. I dëshiroj të gjitha të mirat. Ai do të luajë për shumë vite, mund të luajë deri sa të jetë 38 apo 39 vjeçar. Bayern morën një lojtar të mirë”, shtoi gjermani.
Sadio Mane ishte një nga pikat kryesore të formacionit dhe suksesit të Jurgen Klopp te skuadra e Liverpool. Tani senegalezi do të punojë me Julian Nagelsmann te skuadra kampione e Gjermanisë.