Gati 1.000 raste me goditje në tru janë regjistruar gjatë këtij viti në Neurologji të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Drejtori i kësaj klinike, Edmond Komoni thekson nevojën për numër më të madh të stafit, sa i përket infermierëve. Ai bën të ditur, gjithashtu, se janë në kërkim edhe të zgjerimit të infrastrukturës.
Në një intervistë për KosovaPress ai thotë se rastet me goditje në tru janë më të shpeshtat në këtë klinikë.
“[Klinika] Ka 55 shtretër në dispozicion, ka numër të mjaftueshëm të mjekëve. Ndërsa, me infermierë kemi nevojë për t’i arritur standardet evropiane, aq më tepër duke ditur llojet e sëmundjeve që kemi me persona me vështirësi në lëvizje, të paralizuar, të cilët duhet të lëvizin. Nevojitet një staf më i madh në numër, sesa që e kemi tash”, ka thënë Komoni.
Ai shton se gjatë një dite realizohen 18 deri në 20 ekzaminime.
“Goditjet në tru janë sëmundjet më të shpeshta neurologjike dhe më të shpeshta që hospitalizohen në klinikë. Deri në këtë muaj kishim diku rreth 900 pacientë, duke i llogaritur ato goditje në tru të llojit iskemik ose pikës në tru, kurse pjesa tjetër janë gjakderdhjet në tru, të cilat përbëjnë një përqindje më të vogël, diku 15 për qind në krahasim me pjesën tjetër… Pothuajse kryhen 18 deri 20 EEG në ditë, që është më e madhe se standardi evropian”, është shprehur ai.
Komoni derisa përmend nevojën për zgjerim të infrastrukturës, tregon se për këtë ka kontaktuar edhe Ministrinë e Shëndetësisë.
“Në aspektin e infrastrukturës, për shkak të aparaturave që kanë ardhur ndërkohë, kanë marrë një pjesë të hapësirave të cilat i kemi përdorur qoftë për diagnostikë apo administratë dhe janë zvogëluar pak këto hapësira, jemi në diskutim me drejtorinë e QKUK-së dhe SHSKUK-së. Kemi kontaktuar edhe Ministrinë e Shëndetësisë, për të pasur mundësinë që të zgjerohet një pjesë e klinikës”, ka theksuar Komoni.
Burimi: botasot.info