Mayroun, dashuria ime.
Ah… kam kaq shumë për të të thënë, nuk di nga të filloj. Ti je 16 vjeçe tani. Je mjaftueshëm e rritur për të filluar t’i bësh vetes pyetjet e duhura, pyetjet që kanë vërtet rëndësi. Unë nuk e di se si është bota, apo ku gjendesh në këtë planet. A je ulur në një dhomë pas një ekrani, duke parë avatarin tënd duke vizituar një muze diku në metaverse? Apo ndoshta era të përkëdhel fytyrën në një varkë me vela, diku në botë, për të pushtuar toka të reja të panjohura. Pavarësisht se çfarë je duke bërë apo ku je, unë të imagjinoj të fortë, të ndershme, të lirë, aventuriere, të guximshme, të sinqertë, të çmendur, pak të pafytyrë, pa dyshim një artiste. A qan akoma sa herë që babai yt i bie pianos? A të kujtohet se si të kapi paniku dhe më pyete: “Mami, çfarë po ndodh me trupin tim, janë këto emocionet e mia”? Mendoj se tani e di se çfarë janë. Kurrë mos ki frikë nga emocionet e tua, dashuria ime. Ruaji ato, sepse janë ato që të japin forcën për të ndryshuar botën.
Teksa shkruaj këto fjalë, vrapon nëpër shtëpi, zbathur, pa gjë tjetër veç të mbathurave, duke kënduar e kërcyer me zë të lartë sikur askush të mos të shikonte! Po… sikur askush të mos shikonte… ose të gjykonte.
Shpresoj që tani të jetosh në një botë ku kultura e anuluar dhe politikisht korrekte nuk ekzistojnë më, ku nuk ndihesh e paralizuar nga gjykimi i të tjerëve, duke qenë artistja që unë mendoj se je. Një herë dëgjova dikë të thoshte se njerëzit lindin të lirë si fluturat, por vdesin të mbështjellë si vemjet nën peshën dërrmuese të presionit shoqëror. Mos lejo që gishti që të drejtojnë të të thyejë krahët. Mos lejo që nevoja për miratim të kontrollojë jetën tënde.
Jeta mund të të kursejë shumë padrejtësi, por mund të mos bëjë të njëjtën gjë për shumë vajza të tjera në moshën tënde. Mos harro, çdo ditë, se në rrjedhën e historisë, vajzat dhe gratë kanë paguar një çmim shumë të lartë, janë skllavëruar, shitur, dhunuar, keqtrajtuar, torturuar, diskriminuar, vrarë me gurë, shpërngulur, shkëputur nga fëmijët e tyre, nga familjet e tyre, në mënyrë që ti dhe brezi yt të jeni të lirë. Edhe sot, shumë gra vazhdojnë të paguajnë një çmim shumë të lartë për lirinë dhe emancipimin e tyre. Mbaj parasysh se drejtësi do të ketë vetëm kur ata që nuk pësojnë asnjë dhunë të jenë po aq të tërbuar sa viktimat. (Meqë ra fjala, nuk e thashë unë, por Benjamin Franklin). Pra, ji e çmendur, dashuria ime, por ktheje zemërimin tënd në një shtysë për të ndërmarrë veprime.
Gjeje misionin tënd, prirjen tënde të vërtetë, lufto për atë që është e drejtë.
Ndero atë që ke ardhur të bësh në këtë botë. Çfarë përfaqëson, nga vjen, historinë tënde. Pavarësisht se në çfarë rrethanash je, ti je e fuqishme, çdo qelizë e vetme në trupin tënd është e tillë; ndero fuqinë tënde, potencialin tënd, talentin tënd, intuitën tënde.
Superheroi i vërtetë është brenda teje.
Shpresoj se tani jeton në një botë ku armët janë shfuqizuar dhe ku njerëzimi, më në fund, ka kuptuar se luftërat janë veglat e budallenjve dhe të dobëtve.
Gjithmonë vendose veten në vendin e tjetrit përpara se të gjykosh veprimet e tyre.
Shpresoj që të jetosh në një botë ku çatia e çdo ndërtese është e gjelbër.
Një grua e mençur më tha një herë: “Për çfarë të duhet një diplomë në Harvard nëse nuk e di emrin dhe përfitimet e bimës së mrekullueshme që sapo ke shkelur?” Ajo kishte të drejtë! Mëso nga natyra, vëzhgoje atë, imitoje atë. Rrite vetë ushqimin, bëje vetë djathin. Bota është shtëpia jote. Udhëto, eksploro, duaje të panjohurën. Mos u lidh me artikujt që zotëron. Sa më e lehtë të jetë çanta e shpinës, aq më e lumtur do të jesh.
Georges Bernard Shaw thoshte: “Disa i shohin gjërat ashtu siç janë dhe thonë pse, unë ëndërroj gjëra që nuk ekzistojnë dhe them pse jo”. Mos harro të vazhdosh të ëndërrosh për atë që ende nuk ekziston dhe të vësh në dyshim realitetin e gjërave.
Mos ki frikë të eksplorosh natyrat e tua të tjera.
Çfarëdo që të ndodhë me ty, mos e përshkruaj veten si viktimë.
Burrat janë aleatët e tu, jo konkurrentë.
Unë me të vërtetë shpresoj që brezi juaj tani të mos e festojë më Ditën e Gruas dhe që ti të mos kesh nevojë të dëgjosh biseda si kjo, që debatojnë për barazinë gjinore dhe nxisin beteja, sepse tashmë e gjithë kjo do të jetë një kujtim i largët. Shpresoj që të jetosh në një botë ku nuk ka filtra në Instagram (edhe pse disa janë argëtuese).
Mos humb kohë duke kapur një moment në telefonin tënd, por jetoje atë. Mos u shqetëso për papërsosmëritë e tua dhe dije se kamerat dixhitale në fakt ‘shohin’ më shumë sesa mund të perceptojë syri i njeriut. Vazhdo të mbash buzëkuq të kuq edhe në moshën 99-vjeçare dhe kurrë mos u ndje sikur duhet të ndërrosh fustanin me një kostum që të të marrin seriozisht. Duaje trupin tënd, eksploroje feminilitetin tënd dhe ji krenare për çdo formë tënden.
Diçka e fundit: përveç larjes së dhëmbëve, ka tre gjëra që duhet t’i bësh patjetër sapo të zgjohesh në mëngjes:
Rregullo shtratin
Shkruaj ëndrrën që sapo ke parë
Dhe, mbi të gjitha, pyete veten nëse je e lumtur.
Çfarëdo që të them, e di që do të shkosh në rrugën tënde, ndoshta do të mendosh se jam një plakë e mbushur me klishe, por nuk ka rëndësi kush je sot, si dukesh, kë do, çfarë synimesh ke arritur, gabimet që ke bërë, çfarë ngjyre i ke flokët, dije se ti dhe çdo vajzë në këtë planet jeni një bekim për nënat tuaja dhe pasi jeni fara e ëndrrave tona, do të mbillni farat e ëndrrave tuaja te vajzat tuaja, e kështu me radhë, derisa njerëzimi do të shpëtojë. Ti më bën krenare, dashuria ime.
Unë të dua, Mowgli im i vogël.
Ah… Një gjë tjetër: trajtoje gjithmonë mirë vëllanë tënd, ai është aleati yt më i madh.
Nadine Labaki *Aktorja dhe regjisorja libaneze e lexoi këtë letër më 8 mars në Forumin e Grave të organizuar nga Cartier në Dubai Expo për Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
Përshtatur nga Marie Claire Italia