Tiranë/Vijon puna për goditjen e paaligjshmërisë në fushën e lojërave të fatit.
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 6, operacioni policor i koduar “Table”.
Kishte vënë në dispozicion lokalin e tij, për organizimin e lojërave të fatit, vihet në pranga 33-vjeçari.
Në pranga dhe 4 shtetas të tjerë që u kapën në flagrancë duke luajtur lojëra fati, në këtë lokal.
Sekuestrohen shuma parash të dyshuara të përfituara nga organizimi i kundërligjshëm i lojërave të fatit.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e organizimit të lojërave të fatit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se në një lokal në Prush, organizohej kjo veprimtari e kundërligjshme, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Table”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
– A. N., 33 vjeç, për veprat penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Organizimi i lotarive të palejuara”;
– L. M., 55 vjeç, A. K., 29 vjeç, A. A., 38 vjeç dhe S. R., 27 vjeç, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin në pronësi të shtetasit A. N., shërbimet e Policisë kanë konstatuar një tavolinë të përshtatur për lojëra fati. Në ambientet e lokalit janë konstatuar edhe shtetasit L. M., A. K., A. A. dhe S. R., duke luajtur lojëra fati, me anë të zareve.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma parash të dyshuara të përfituara kjo veprimtari e kundërligjshme.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.