Autoritetet kineze kanë lehtësuar disa rregulla kundër “Covid-19”, por nuk kanë hequr dorë nga strategjia “zero COVID”. Vendimi u mor pasi protestuesit në disa zona të Kinës kërkuan dorëheqjen e Presidentit Xi Jinping në demonstratat që po vlerësohen si ndër më të mëdhatë kundër Partisë Komuniste në pushtet. Qeveria nuk komentoi sot protestat apo kritikat ndaj presidentit Xi, por vendimi për të lehtësuar të paktën disa nga kufizimet duket se kishte për qëllim shuarjen e zemërimit. Analistët megjithatë nuk presin që qeveria të tërhiqet nga strategjia e saj për virusin “COVID-19”.
Grupe të protestuesish, kryesisht të rinj, u mblodhën natën në Chengdu, duke brohoritur në anglisht dhe në gjuhën mandarin, “Bëni Kinën përsëri të mrekullueshme!” dhe “Ne duam të votojmë!”.
Të njëjtën ditë, u zhvillua një tubim proteste, në Universitetin “Tsinghua”, ndërsa studentët mbanin fleta të bardha mbi kokat e tyre, sipas dëshmitarëve.
Në Shangai, pati një prani të madhe të policisë, ndërsa protestuesit u mblodhën dhe regjistronin me telefonat e tyre.
Autoritetet kineze, nga ana e tyre, po përpiqen t’i minimizojnë protestat dhe sillen sikur ata nuk po ndodhin.
Me udhëheqjen e Partisë Komuniste dhe mbështetjen e popullit kinez, lufta jonë kundër “COVID-19” do të jetë e suksesshme”
“Ne besojmë se me udhëheqjen e Partisë Komuniste dhe mbështetjen e popullit kinez, lufta jonë kundër “COVID-19” do të jetë e suksesshme”, tha zëdhënësi i ministries së jashtme kineze, Zhao Lijian.
Zyrtari kinez po ashtu i mohoi akuzat e medias publike britanike, “BBC” se gazetari i tyre që mbulonte protestat në Shangai u ndalua dhe keqtrajtua nga autoritetet kineze.
“Sipas asaj që kemi mësuar nga autoritetet e Shangait, personi nuk është identifikuar si gazetar dhe nuk ka paraqitur vullnetarisht kredencialet. Zyrtarët vendas të zbatimit të ligjit po bindnin njerëzit në vendngjarje të largoheshin. Ata që refuzuan të bashkëpunonin më pas u larguan”, tha zoti Zhao.
Ho-Fung Hung, profesor në Universitetin “Johns Hopkins” në Maryland tha të hënën se protestat e fundit në Kinë, që sfidojnë autoritetet qendrore, ndryshojnë nga demonstratat e dekadave të fundit, që kishin në shënjestër kryesisht zyrtarë lokalë.
Këtë herë, protestuesit po kërkojnë largimin e presidenti Xi Jinping, madje disa bëjnë thirrje për lirinë e shprehjes”. “Është befasuese, pasi krahasuar me protestat e viteve 1990 dhe 2000, që drejtoheshin kundër zyrtarëve lokalë, duke mbështetur në të njejtën kohë autoritetet qendrore, këtë herë, protestuesit po kërkojnë largimin e presidenti Xi Jinping, madje disa bëjnë thirrje për lirinë e shprehjes”, tha Profesor i ekonomisë politike në Universitetin “Johns Hopkins”, Ho-Fung Hung.
Profesori Fo-Hung thotë se qeveria do të vazhdojë t’i shtypë protestat. “Është e paimagjinueshme që pushteti të tërhiqet, duke ndryshuar politikën. Nuk është stili i presidentit Xi Jinping”, tha profesori Ho-Fung Hung,
Sipas tij, ndryshe nga protestat e vitit 1989 këtë herë, asnjë anëtar i lartë i Partisë Komuniste kineze nuk ka treguar shenja se dëshiron ta shfrytëzojë situatën për përfitime politike. Për këtë arsye, sipas profesorit Ho-Fung Hung, protestat nuk pritet të vazhdojnë gjatë.
Autoritetet qeveritare kanë fshirë nga interneti videot dhe mesazhet që mbështesnin protestat.
Masat e rrepta të Kinës kundër pandemisë Covid-19, fillimisht patën përkrahje nga popullsia, por vazhdimi i tyre, në kuadër të politikës së Kinëd “zero-Kovid”, ka shkaktuar pakënaqësi në radhët e popullsisë.