Anija e parë kozmike kineze me ekuipazh që u shpall e papërshtatshme për fluturim gjatë një missioni do të kthehet në Tokë, në mënyrë që ekspertët të mund të shqyrtojnë nga afër dëmet që ka pësuar, raportoi sot televizioni shtetëror CCTV (1 dhjetor).
Më 5 nëntor, anija Shenzhou-20 duhej të sillte në Tokë ekuipazhin e stacionit hapësinor të përhershëm Tiangong, i cili kishte përfunduar gjashtë muaj në orbitë.
Por pak para shkëputjes nga stacioni, astronautët zbuluan një çarje në dritaren e kapsulës, çka çoi në shtyrjen e kthimit, një ngjarje e paprecedentë për programin hapësinor kinez.
Ekuipazhi u rikthye në Tokë në një anije tjetër, nëntë ditë më vonë, duke e lënë përkohësisht stacionin Tiangong dhe tre astronautët e tjerë që ndodheshin aty pa një mjet të sigurt kthimi.
Industria ajror-hapësinore kineze ndërhyri me urgjencë për të garantuar sigurinë e tyre dhe arriti të lëshojë anijen rezervë më 25 nëntor, vetëm 20 ditë pas shtyrjes fillestare.
E ardhmja e Shenzhou-20, e cila mbeti e ankoruar në stacion, mbeti e paqartë deri sot.
Zëdhënësi i agjencisë hapësinore kineze, Ji Qiming, deklaroi për CCTV se anija do të kthehet në Tokë pa ekuipazh dhe gjatë udhëtimit do të mbledhë “të dhënat më autentike dhe eksperimentale”, pa dhënë detaje të tjera.
Ndërkohë, Jia Shijin, një prej inxhinierëve kryesorë të anijes, zbardhi më shumë informacion rreth çarjes mikroskopike që çoi në këtë ndryshim të madh të planifikimit.
Sipas tij, vendimi për të shtyrë kthimin e astronautëve u mor duke marrë parasysh skenarin më të keq të mundshëm rrezikun që çarja të zgjerohej gjatë fluturimit, duke shkaktuar humbje presioni, një ngjarje potencialisht fatale për ekuipazhin.
Burimi: botasot.info


