Mandati i ri i Presidentit Xi Jinping nënkupton mes të tjerash edhe eliminimin e çdo kundërshtimi të mundshëm ndaj programit të tij ultra-nacionalist për ta pozicionuar Kinën si rivalen kryesore politike, ushtarake dhe ekonomike të Shteteve të Bashkuara. Zyrtarë të lartë kinezë sulmuan edhe këtë javë Shtetet e Bashkuara me një retorikë jashtëzakonisht të drejtpërdrejtë dhe armiqësore. Ministri i Jashtëm i Kinës, Qin Gang, paralajmëroi të martën për konflikt dhe konfrontim nëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë përpjekjet për ta frenuar Kinën. Por nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara thonë se nuk po përpiqen të frenojnë Kinën dhe se nuk shohin ndonjë ndryshim të marrëdhënieve.
Në një seancë plenare të Kongresit Popullor Kombëar, Presidenti i Kinës Xi Jinping kritikoi Shtetet e Bashkuara për atë që ai e quajti “frenim, izolim dhe shtypje të Kinës” ndërsa i bëri thirrje sektorit privat kinez, që të nxisë novacionet dhe zhvillimin.
Kryediplomati i ri kinez Qin Qang ishte edhe më i drejtpërdrejt të martën gjatë një konference shtypi.
“Nëse Shtetet e Bashkuara nuk mbajnë frenat, por ecin me shpejtësi në rrugën e gabuar, asnjë pritë anësore nuk mund ta ndalojë daljen nga rruga, apo përplasjen, dhe me siguri që do të ketë konflikt dhe konfrontim”.
Administrata e Presidentit Biden është shprehur shpesh se po kërkon mënyra për të parandaluar që konkurrenca me Kinën të kalojë në konflikt. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price u shpreh:
“Nuk ka të bëjë me frenimin e ndonjë vendi apo Kinës. Nuk ka të bëjë me izolimin e Kinës. Por ka të bëjë me ruajtjen e rendit të bazuar në rregulla – që vende si Kina i kanë nënshkruar”.
Një ekspert i tha Zërit të Amerikës se gjuha e ashpër nga Pekini ishte e pazakonte.
“Retorika si nga ministri i jashtëm ashtu edhe nga udhëheqësi Xi Jinping, ka qenë mjaft e habitshme, sepse udhëheqësit kinezë nuk flasin kaq drejtpërdrejt për Shtetet e Bashkuara. Ata mund t’i ndajnë këto mendime privatisht, por kur flasin, priren të jenë të kujdesshëm”.
Analisti Chase Blazek i tha Zërit të Amerikës se nuk do të jetë e lehtë që Pekini dhe Uashingtoni të gjejnë një gjuhë të përbashkët, sepse e shohin njëri-tjetrin si një kërcënim.
“Kina thotë se jemi të gatshëm të kemi marrëdhënie të mira me ju për sa kohë që nuk përpiqeni ta frenoni Kinën. Nga ana tjetër SHBA thotë se do të kemi marrëdhënie të mira me ty për aq kohë sa ju nuk përbëni kërcënim për sigurinë tonë kombëtare. Por perceptimi amerikan është se Kina përbën këcënim për sigurinë kombëtare dhe perceptimi i Kinës është se Shtetet e Bashkuara synojnë ta frenojnë atë”.
Gjatë një seance në Dhomën e Përfaqësuesve, ligjvënësi republikan August Pfluger tha se Shtetet e Bashkuara nuk janë në konflikt me popullin kinez, por me Partinë Komuniste të Kinës.
“Pavarësisht përpjekjeve prej vitesh nga Shtetet e Bashkuara për të zhvilluar marrëdhënie produktive, të drejta dhe të ndershme me Republikën Popullore të Kinës, Amerika është përballur me pandershmëri dhe agresion. Qeveria e Pekinit e drejtuar nga Partia Komuniste na ka mashtruar dhe manipuluar në çdo përpjekje, duke spiunuar në vendin tonë dhe duke u përpjekur të përmbysë rendin botëror”.
Muajin e kaluar ushtria amerikane rrëzoi një balonë kineze që kishte fluturuar përgjatë Shteteve të Bashkuara. Pentagoni thotë se ishte mjet zbulimi. Pekini thotë se balona po kryente hulumtime shkencore dhe kishte dalë nga kursi./VOA