Kina ka përcjellë mesazhin se përpjekjet e SHBA-së për të penguar dhe kufizuar kryesisht prodhimin e çipave në fushën e teknologjisë, nuk do ta ndalin zhvillimin e vendit, përkundrazi, do të rrisin vendosmërinë e tij për të qenë inovativ dhe i vetëmjaftueshëm, transmeton Anadolu.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning, ka vlerësuar intervistën që kreu i Shoqatës së Industrisë së Gjysmëpërçuesve të SHBA-së, John Neuffer, ka bërë për “Bloomberg”, duke u shprehur se Kina është “tregu më i madh” i prodhuesve amerikanë të çipave dhe se administrata amerikane dëshiron të hyjë në treg pavarësisht shqetësime të sigurisë kombëtare.
Prej një kohe SHBA-ja ka sforcuar kufijtë e saj të konceptit të sigurisë kombëtare për të vazhduar hegjemoninë e saj, keqpërdori masat e saj të kontrollit të eksporteve dhe u drejtua në rrugën e kufizimit të eksporteve në Kinë, tha Mao, e cila deklaroi: “Presionet dhe kufizimet ekonomike nuk mund të ndalin zhvillimin e Kinës, ato vetëm rrisin vendosmërinë për të qenë inovativ dhe të vetëmjaftueshëm”.
Mao vuri theksin se Kina është tregu më i madh në botë i gjysmëpërçuesve dhe se shkëputja e lidhjeve ekonomike, ndërprerja e zinxhirëve furnizues dhe ndërprerja e funksionimit të tregut nuk do të jetë në interesin e asnjë pale.
Duke theksuar se SHBA-ja po përpiqet të pengojë ose kufizojë jo vetëm Kinën, por edhe shumë vende në zhvillim, Mao deklaroi: “SHBA-ja dëshiron që t’ua heqë zhvillimin dhe përparimin teknologjik, që është një e drejtë e vendeve në zhvillim, dhe t‘i mbajë ato në fund të zinxhirit industrial”.
Pasi vuri në dukje se praktika të tilla egoiste dhe tiranike në shkencë dhe teknologji janë të padrejta dhe në kundërshtim me rregullat ekonomike dhe tregtare, Mao më tej pretendoi se destabilizimi i industrisë dhe i zinxhirëve të furnizimit do të dëmtojë zhvillimin ekonomik global dhe në përfundimisht do të dëmtojë SHBA-në.
Ndër të tjera, Mao theksoi se Kina, duke ndarë mundësitë me vendet e tjera, është e hapur ndaj zhvillimit të përbashkët dhe në të njëjtën kohë do të mbrojnë interesat dhe të drejtat legjitime.