Kina me stërvitje ushtarake rreth Tajvanit i përgjigjet “bashkëpunimit me SHBA-në”

Kina mbajti stërvitje të mëdha ushtarake rreth Tajvanit të dielën, duke përfshirë stërvitje sulmi, njoftoi një zëdhënës ushtarak, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Kjo është një përgjigje e fortë ndaj përshkallëzimit aktual të provokimeve nga SHBA-ja në bashkëpunim me autoritetet e Tajvanit”, tha në një deklaratë Koloneli Shi Yi, zëdhënës i Komandës Lindore të Ushtrisë Çlirimtare Popullore Kineze.

Shi Yi tha se ushtria kreu “patrullë sigurie të gatishmërisë luftarake dhe stërvitje të përzier të sulmit dhe goditje zjarri, në të cilën u përfshinë trupa të shërbimeve dhe armëve të shumta në ujërat dhe hapësirën ajrore rreth ishullit Tajvan”.

Forcat kineze “do të marrin të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur me vendosmëri sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial”, shtoi ai.

Stërvitjet erdhën si përgjigje e dukshme lidhur me azhurnimin e Aktit të SHBA-së për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), i cili kërkon rritjen e bashkëpunimit të sigurisë me Tajvanin, vendin ishull me rreth 24 milionë banorë, të cilin Kina e konsideron si “provincë të shkëputur”.

Shkëmbimet dhe shitjet ushtarake midis Washington-it dhe Taipeit janë rritur që nga mandati i ish-presidentit Donald Trump.

Sipas NDAA-s, Washington-i do të shpenzojë rreth 11,5 miliardë dollarë “për të rritur parandalimin dhe mbrojtjen e SHBA-së në Indo-Paqësor”, ku udhëheq një aleancë të lirshme sigurie me Japoninë, Australinë dhe Indinë, të njohur si QUAD.

Ligji autorizon administratën e presidentit Joe Biden të japë deri në 10 miliardë dollarë ndihmë sigurie për Taipein gjatë pesë viteve të ardhshme “për të modernizuar aftësitë e sigurisë së Tajvanit”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Kinës, Kolonel Tan Kefei, të shtunën kritikoi NDAA-në për “dispozitat e saj negative në lidhje me Kinën”.

Ai tha se ligji “thekson të ashtuquajturin ‘Kërcënim të Kinës’ duke mos marrë parasysh faktet, ndërhyn në punët e brendshme të Kinës në mënyrë të paarsyeshme dhe krijon justifikime për zgjerimin e shpenzimeve ushtarake dhe ruajtjen e hegjemonisë”.

Tan paralajmëroi se kjo “jo vetëm që do të dëmtojë sovranitetin kombëtar, sigurinë dhe interesat e zhvillimit të Kinës, por gjithashtu do të dëmtojë marrëdhëniet ushtarake midis dy vendeve”.

“Faktet kanë vërtetuar më shumë se një herë se SHBA-ja është kërcënimi i drejtpërdrejtë për rendin ndërkombëtar dhe fajtori i turbulencave rajonale”, theksoi ai.

– Tajvani thotë se ka zbuluar avionë dhe anije kinez përrreth saj

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit sot më herët bëri të ditur se kishte zbuluar 71 avionë të ushtrisë kineze dhe shtatë anije të marinës “në rajonin përreth vendit tonë”.

Në deklaratë theksohet se 47 avionë kaluan vijën mesatare të ngushticës së Tajvanit dhe hynë në pjesën jugperëndimore të zonës së identifikimit të mbrojtjes ajrore të Tajvanit (ADIZ).

Forcat tajvaneze monitoruan situatën dhe urdhëruan avionët e tyre, anijet e marinës dhe sistemet e raketave me bazë tokësore që të përgjigjen, tha ministria.

Pekini nuk njeh linjën mesatare dhe as ADIZ-in.





Story i mëparshëm

Itali, arratisen 7 persona nga burgu për të mitur

Story i radhës

Drejtori i Llapit u përgjigjet akuzave të Zekës: Është mësuar ai të bëhet kampion me dallavere

Të fundit nga