Kabineti i Kinës ka mbajtur një takim urgjent, pasi udhëheqësit e lartë kërkuan masa të reja për të stabilizuar një ekonomi të goditur nga kufizimet e rrepta ndaj COVID-19.
Në mbledhjen virtuale morën pjesë mbi 100 mijë zyrtarë në nivele provincash, qytetesh dhe këshillësh, sipas një raporti nga media shtetërore atje.
Zyrtarë të rangut të lartë kinez ishin gjithashtu të pranishëm, duke përfshirë kryeministrin Li Keqiang, i cili u kërkoi autoriteteve të ndërmarrin veprime për ruajtjen e vendeve të punës dhe uljen e papunësisë.
Ekonomia e dytë më e madhe në botë ka vuajtur në sektorë të ndryshëm që nga përhapja e valës së koronavirusit në mars, duke shkaktuar masa bllokimi në shumë qytete të mëdha, ku shumë prej tyre nuk kanë qenë në gjendje të largohen nga shtëpitë ose lagjet e tyre për më shumë se një muaj.
Li tha se në disa aspekte, ndikimi ekonomik i parë në mars dhe prill ka tejkaluar atë të vitit 2020 gjatë shpërthimit fillestar të koronavirusit. Ai vuri në dukje disa tregues duke përfshirë normat e papunësisë, uljen e prodhimit industrial dhe transportin e mallrave.
Nga mesi i majit, më shumë se 30 qytete ishin nën bllokim të plotë ose të pjesshëm, duke ndikuar deri në 220 milionë njerëz në mbarë vendin, sipas llogaritjeve të CNN.