Pekini ka thënë të martën se do të kufizojë eksportimin e disa pjesëve në Shtetet e Bashkuara, që shërbejnë për prodhim të gjysmëpërçuesve, pasi Uashingtoni i ka bërë të ditura disa kufizime që shënjestrojnë aftësinë e Kinës për të prodhuar çipa të avancuar.
Në mesin e materialeve të ndaluara për eksport janë metalet si galiumi, antimoni dhe germaniumi, ka bërë të ditur Ministria kineze e Tregtisë, duke cituar shqetësimet për “siguri kombëtare”.
Edhe eksportet e grafitit – një tjetër lëndë e rëndësishme – është thënë se do të kontrollohen rreptë se kë do ta kenë pranues përfundimtar.
“Çdo organizatë, individ, apo shtet që shkel rregulloret relevante, do të mbahet përgjegjës, në përputhje me ligjin”, është thënë në deklaratën e ministrisë.
Të hënën, Uashingtoni ua ka kufizuar shitjet 140 kompanive kineze, përfshirë kompanive për prodhim çipash, Piotech dhe SiCarrier, pa marrë leje të posaçme paraprake.
Me vendime të tilla, Uashingtoni rrit përpjekjet që të kufizojë aftësitë e Kinës për prodhim çipash që mund të përdoren në sisteme të avancuara të armëve dhe për inteligjencë artificiale.
Në kufizimet e reja amerikane përfshihen edhe kontrollet për pajisje tjera teknologjike, dhe për pajisje softuerike për zhvillim apo prodhim të gjysmëpërçuesve.
Pekini është zotuar për mbrojtje të interesave të veta, duke thënë se Shtetet e Bashkuara “abuzon me masat për kontroll mbi eksportet”, dhe që kështu dëmtohen “shkëmbimet normale ekonomike dhe tregtare”./REL
Burimi: botasot.info