Kina kërkon nga SHBA-ja ndalimin e menjëhershëm të shitjeve të armëve Tajvanit

Kina kërkoi që SHBA-ja të ndalojë menjëherë shitjet e armëve Tajvanit, si dhe kontaktet e saj ushtarake me vendin ishullor, transmeton Anadolu.

“Ne i bëjmë thirrje fuqishëm palës amerikane që të njohë plotësisht ndjeshmërinë e lartë të çështjes së Tajvanit, si dhe kompleksitetin dhe ashpërsinë e situatës aktuale përgjatë ngushticës së Tajvanit”, tha koloneli i lartë Tan Kefei, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Kinës, në një konferencë të rregullt për shtyp në Pekin.

Komentet e tij erdhën përpara një vizite në Tajvan nga një grup kompanish të mbrojtjes amerikane të planifikuar për javën e ardhshme për të diskutuar çështjet e bashkëpunimit dypalësh të mbrojtjes, si prodhimi i përbashkët i dronëve dhe municioneve.

Tan e përshkroi çështjen e Tajvanit si një “çështje të brendshme vetëm të Kinës që nuk kërkon asnjë ndërhyrje të huaj”.

Përfaqësues nga 25 kontraktorë të mbrojtjes amerikane do të mbërrijnë në Tajvan të martën për të marrë pjesë në një forum të industrisë dhe për t’u takuar me zyrtarë lokalë, njoftoi sot kanali shumëkombësh “NewsAsia” (CNA), duke cituar një burim ushtarak të paidentifikuar.

“Këto komplekse ushtarako-industriale amerikane kanë qenë gjithmonë të zellshme për të shitur municione, për të shkaktuar konflikte dhe kaos dhe për të korrur fitime marramendëse në mbarë botën”, citohet të ketë thënë Tan nga “China Military Online”.

Duke përsëritur se “askush apo asnjë forcë nuk mund të lëkundë vendosmërinë e palëkundur të popullit kinez për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial”, ai i ka kërkuar palës amerikane t’i përmbahet parimit të “një Kine”.

“Trupat kineze do t’i kushtojnë vëmendje situatës përgjatë ngushticës së Tajvanit si gjithmonë, do të qëndrojnë në gatishmëri të lartë gjatë gjithë kohës”, ka thënë ai, duke paralajmëruar se do të marrin masat e nevojshme në përputhje me ligjin për të kundërshtuar me vendosmëri çdo formë të aktiviteteve separatiste për “Pavarësinë e Tajvanit”, si dhe ndërhyrjet e jashtme, dhe të mbrojnë me vendosmëri sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës.

Kina e konsideron Tajvanin e vetëqeverisur si pjesë të territorit të saj.





Story i mëparshëm

Laporta befason

Story i radhës

Pak ditë nga finalja, Luizi habit se çfarë do të bëjë më çmimin e “BBVA”

Të fundit nga