Duke kundërshtuar “forcimin ushtarak” të Japonisë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin, tha se Tokio nuk ka asnjë justifikim për “zhurmën lidhur me të ashtuquajturin kërcënim kinez”, raporton Anadolu Agency (AA).
“Dokumentet e reja të politikës së mbrojtjes të Japonisë shpërfillin faktet, devijojnë nga detyrimet e saj në lidhje me marrëdhëniet me Kinën dhe mirëkuptimet e përbashkëta midis dy vendeve, dhe njollosin mbrojtjen e Kinës dhe aktivitetet normale ushtarake. Kina e kundërshton me vendosmëri këtë”, tha Wenbin të premten.
Ai foli rreth hapit të Japonisë për miratimin e një version të rinovuar të strategjisë së saj të sigurisë kombëtare, e cila iu mundëson forcave të armatosura të Japonisë të bëhen me atë që i quajti “aftësi kundër-sulmuese”, një shmangie domethënëse nga qëndrimi pacifist i Japonisë pas Luftës së Dytë Botërore.
Vendimi u shpall të premten e kaluar, për të parën herë brenda një dekade, ndërkaq ky hap u mirëprit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rivali më i madh i Kinës.
Strategjia e re e sigurisë kombëtare të Japonisë e konsideron Kinën “sfidën më të madhe strategjike”, Korenë e Veriut “kërcënim më serioz dhe më të afërt se më parë”, kurse Rusinë “një shqetësim serioz të sigurisë”.
“Japonia nuk do të arrijë të justifikojë forcimin e saj ushtarak duke ia mveshur të ashtuquajturës ‘kërcënim nga Kina'”, tha Wang.
Ai shtoi se forcat e krahut të djathtë në Japoni “po shkaktojnë telashe në Detin e Kinës Lindore dhe po bashkëpunojnë me disa vende për të ndezur dhe krijuar tensione në Detin e Kinës Jugore”.
“Kjo është sfida më e madhe për paqen dhe stabilitetin rajonal”, tha Wang.