Teksa lufta në Ukrainë është në ditën e saj të 15-të, ka dyshime të forta se edhe Kina mund të nisë një sulm ushtarak mbi Tajvan. Ministri i Mbrojtjes i Tajvanit, Chiu Kuo-cheng deklaroi se Kina dhe Tajvani do të paguanin një çmim të rëndë nëse Pekini do të përpiqej të organizonte një pushtim të ngjashëm me atë të Rusisë.
“Nëse ka një luftë, të jem i sinqertë, të gjithë do të jenë të humbur madje edhe për fituesit. Ne po i shikojmë me qetësi zhvillimet dhe po përgatitemi në përputhje me rrethanat”, u shpreh ai në një komunikim me gazetarët.
Tajvani e sheh veten si një komb i pavarur me qeverinë e vet. Por Kina e ka konsideruar prej kohësh demokracinë ishullore si një provincë të shkëputur dhe është zotuar se një ditë ta rimarrë atë.
Javën e kaluar, shprehja “Ukraina sot, Tajvani nesër!” populloi mediat sociale të Tajvanit. Por qeveria e Tajvanit ka minimizuar në mënyrë të prerë krahasimet me Ukrainën. Ndërsa autoritetet rritën nivelin e tyre të gatishmërisë, presidenti Tsai Ing-ëen deklaroi se kishte “ndryshime thelbësore” në konfliktet gjeopolitike, duke përfshirë pengesën gjeografike të ngushticës së Tajvanit midis ishullit dhe Kinës.