Joshua Kimmich po konfirmohet gjithnjë e më shumë si një lider, jo vetëm në fushën e lojës, por edhe jashtë saj. Në prag të sfidës vendimtare ndaj Interit në “San Siro”, mesfushori dhe kapiteni i Bayern Munich ka dhënë një mesazh të prerë për skuadrën dhe tifozët bavarezë.
“Duhet të jemi më kreativë, më efikasë dhe më të pjekur në lojë”, – deklaroi Kimmich, duke iu referuar çerekfinales së kthimit në Ligën e Kampionëve, ku bavarezët do të kërkojnë përmbysjen e humbjes 2-1 të pësuar në “Allianz Arena”, javën e kaluar.
Ai e pranoi se ndjesia e zhgënjimit është e madhe kur performanca nuk shoqërohet me rezultatin pozitiv:
“Ajo që më bezdis më shumë është fakti që ne zakonisht jemi skuadra më e mirë në fushë, por kjo nuk reflektohet në rezultate.
Çfarë duhet të ndryshojë te Bayerni? Duhet më shumë pjekuri dhe efikasitet. Jemi duke u përpjekur fort, krijojmë shumë raste, por nuk po i konkretizojmë. Në fillim të sezonit ishim më të mirë në këtë aspekt”.
Në prag të duelit të së mërkurës, ku Bayerni do të kërkojë me çdo kusht një biletë për në gjysmëfinale, Kimmich shfaqi besim, por edhe paralajmërim: “Nëse jemi më efikasë, mund ta përmbysim rezultatin.
Nëse vazhdojmë të shpërdorojmë si në ndeshjet e fundit, nuk do të shkojmë në gjysmëfinale. Duhet të jemi më kreativë për ta zhbilancuar mbrojtjen e Interit dhe krijuar hapësira, që mund t’i shfrytëzojmë”.
Burimi: botasot.info