Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim ka uruar ditën që shënon 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA. Teksa kujton ditën e parë të marrëdhënieve 28 korrik 1922 si ndjen e një pishtari, Kim flet edhe për diktaturën ku përtej pauzës së marrëdhënieve mes dy shteteve, thotë se shqiptarët trima e mbajtën ndezur atë pishtar.
Duke iu referuar të ardhmes, ambasadorja Kim shkruan se sot ajo flakë është më e shndritshme se kurrë dhe do të ndriçojë rrugën edhe për 100 vitet e tjera të ardhme mes dy shteteve.
“Më 28 korrik 1922, SHBA dhe Shqipëria vendosën marrëdhënie diplomatike. Atë ditë u ndez një pishtar. Edhe në ditët e errëta të diktaturës, shqiptarët trima e mbajtën flakën ndezur. Sot, ai pishtar digjet më i ndritshëm se kurrë. Le të na ndriçojë rrugën përpara, së bashku, për 100 vitet e ardhshme! Mezi pres t’u bashkohemi miqve shqiptarë për evente speciale në Tiranë (përfshirë koncertin sonte në Sheshin Skënderbej) dhe të ndajmë mesazhe speciale nga miqtë amerikanë në Uashington dhe Dallas (qëndroni!). Gëzuar edhe 100 !’ shkruan Kim
Marrëdhëniet diplomatike Shqipëri-SHBA kanë nisur më 28 korrik 1922, pak muaj pas përfundimit të Konferencës së Paqes në Paris, ku presidenti amerikan Wilson doli në krah të vendit tonë. Këto marrëdhënie patën një ndërprerje prej 52 vitesh gjatë pushtimit italian dhe regjimit komunist për t’u rivendosur sërish më 15 mars 1991 me përmbysjen e regjimit dhe vendosjen e demokracisë.