Kim Mehmeti: SPAK, pasqyrë ku të gjithë shohin shëmtinë e vetë, por nuk mjafton

April 20, 2024
min lexim

Publicisti Kim Mehmeti, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë”, ka analizuar dhe ka komentuar zhvillimet e fundit të jetës politike në Shqipëri, si edhe perspektivën e tij për të ardhmen e saj dhe të vendit në tërësi.

Sipas tij një shtet rrezikohet jo kur ka “politikanë të këqij, por kur pjesa më e madhe e popullit bëhet e pandjeshme ndaj fatit të saj kolektiv”, dhe nëse pakënaqësia nuk kthehet në revoltë ajo kthehet si në rastin e Shqipërisë, në vajtim dhe ikje masive.

“Një shtet nuk rrezikohet kur ka politikanë të këqij, por kur pjesa më e madhe e popullit bëhet e pandjeshme ndaj fatit të saj kolektiv. Nëse pakënaqësia nuk kthehet ne revoltë ajo kthehet në vajtim ose në ikje masive nga vendi. Këto po i ndodhin vendit.

Të gjithë politikanët, edhe kryeministri aktual shqiptar, më habisin për diçka. Njeriu mund të jetë edhe shenjtor, më i vlefshmi, por shkaku i popullit të vetë, nuk mundet 30 vite të jesh figura e parë. Me këtë ti thua se këtu nuk ka vlera dhe ky popull nuk di të zgjedhë. Popullin nuk e fajësoj për diçka, është një popull i varfër i sapodalë nga komunizmi që deri dje nuk ushqehej dot. Nuk ka mëkat më të madh se një politikan që keqpërdor varfërinë e popullit, të gjithë e bënë këtë.

Kur e keqpërdor këtë si politikan, të mungon diçka njerëzore. Në këtë kontekst nuk mund të jenë më të mirë se Enver Hoxha. Mendësia është e njëjtë”, tha ai.

Mehmeti u shpreh më tej se në Shqipëri nuk ka opozitë, por njerëz që duan pushtetin, ndërsa u shpreh skeptik për të ardhmen e vendit nëse kjo e fundit do të mbetet vetëm në dorën e drejtësisë dhe policisë.

Ai artikuloi se korrupsioni nuk mund të luftohet vetëm nga SPAK, por duhet të luftohet nga vetë institucionet shtetërore dhe shoqëria në tërësi, ndërsa theksoi se veç drejtësisë, fusha të tjera si arsimi apo shëndetësia janë të shkatërruara.

“Këtë kryeministër me votë nuk e rrëzon dot askush. Ky është mendimi im. Ai ka shumë para, i ka gjithë të pasurit pranë vetes. Erdhi në pushtet me parimin që të bashkohen gjithë qelbësirat, vetëm të fitojë. Këtu një votues është më i lirë se një dele. Edhe në Maqedoni ndodhte e njëjta, sa më i padobishëm ishte aq më shumë vota merrte. U mbushën qytetet me protestues dhe më në fund iku dhe sot nuk është as në Maqedoni.

Në Shqipëri nuk ka opozitë, por njerëz që e duan pushtetin. Synim kanë pushtetin, jo shtetin. Përndryshe do të jepnin një platformë për shtetin. Këtu do të vijë koha kur kam frikë se do jetojnë vetëm ushtarët partiakë. Këtu partitë ende do të copëtohen. Çdo pasanik do ta ketë partinë e vetë, ka filluar ai proces. Personi që ka para i bën këtu 2 deputetë kur të ketë qejf. Nëse nuk ndërpritet ky proces kjo do të ndodhë.

Mjerë shteti që duhet ta ndërtojnë gjykatat dhe policia. Kur faktorët më të rëndësishëm për një vend janë gjyqësori dhe policia do të thotë se s’ka shtet. Korrupsionin nuk duhet ta luftojë SPAK, por institucioni. Nëse në bashki për shembull ka 4 të akuzuar për vjedhje, aty duhet të fillojë menjëherë rindërtimi. Nuk mundet SPAK të zbulojë gjithë hajdutët dhe të korruptuarit e vendit. Duhet gjithë shoqëria. Drejtësia është vetëm një shtyllë, ku është arsimi, shëndetësia, të shkatërruara.

Nuk di detaje për Metën, por mund të them se askush nuk e do SPAK sepse është pasqyrë ku të gjithë e shohin shëmtinë e vetë, në mos frikën. Dalëngadalë ata janë duke e bërë. Ne ndërtuam një shoqëri ku nuk ka vend për ndershmërinë, ky sistem nuk e duron nëpunësin e ndershëm. Shqipërisë nuk ia zgjidh problemin SPAK. E keqja e ka fundin e vetë, çdo kohë lind heronjtë e vetë.

Shqipëria duhet të ushqehet me një frymë tjetër, që edhe qytetari të ketë më shumë ndjeshmëri ndaj shtetit se pushtetit. Në Shqipëri mund të shkatërrosh shtetin, por nuk të lënë të prekësh pushtetin. Shqiptari mesatar duhet të ndjejë se shteti është i tiji, jo i PS apo i PD”, u shpreh ai.

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

​Përplasje në KQZ për votimin në veri

Story i radhës

Nëntë palestinezë humbin jetën nga një sulm izraelit në Rafah

Të fundit nga

ShkoLartë