Ylli amerikan thuhet se kontaktoi ekipin e Sky Sports para garës në Singapor, për të shmangur një tjetër moment të sikletshëm, pasi injoroi prezantuesin gjatë garës në Monako.
Kim Kardashian duket se nuk dëshiron të jetë sërish në shënjestër të tifozëve të Formula 1. Ylli i reality show-t shfrytëzoi Çmimin e Madh të Singaporit për të përmirësuar raportet me prezantuesin e njohur të Sky Sports, Martin Brundle, pasi më parë ishte kritikuar ashpër në rrjetet sociale për mënyrën se si e kishte trajtuar atë në Monako.
Gjatë ecjes së tij të famshme në pistë, ku Brundle interviston personalitete dhe pilotë para garës, Kardashian iu afrua prezantuesit dhe e pyeti: “A kemi nisur me këmbën e gabuar?”
Takimi i tyre i mëparshëm në Monako kishte shkaktuar reagime të shumta, pasi Kim e kishte injoruar prezantuesin, një veprim që shumë tifozë e cilësuan si të pasjellshëm.

Megjithatë, duket se këtë herë ylli amerikan ishte e vendosur të shmangte një tjetër situatë të sikletshme.
Sipas Daily Mail, ekipi i Kardashian kishte kontaktuar me Sky Sports para garës në Marina Bay të Singaporit, me qëllim që të siguronte një bisedë mes saj dhe Brundle gjatë ecjes në pistë.
Një burim i brendshëm i ka thënë ekskluzivisht gazetës se ekipi i saj kishte ndërmarrë këtë hap pas kritikave që Kardashian kishte marrë nga tifozët për incidentin e mëparshëm.
Sipas të njëjtit burim, ylli amerikan dëshiron të krijojë një përshtypje të mirë te tifozët e Formula 1 dhe në ambientet e garave.

Kjo vëmendje ndaj imazhit të saj vjen në një kohë kur raporti i saj me pilotin e Ferrarit, Lewis Hamilton, thuhet se po bëhet gjithnjë e më i afërt.
Burimi: botasot.info


