Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas publikimit të raportit të kryeministrit Albin Kurti për arritjet e qeverisjes.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka ngritur një sërë pyetjesh lidhur me realizimin e premtimeve për infrastrukturën, arsimin, shëndetësinë, energjinë dhe luftimin e korrupsionit shkruan KP.
“Çka kish raportu Albini për gjashtë vjet? A kish raportu se i ka ndërtu 160 çerdhe? A kish raportu se i ka përfundu rrugët për Podujevë, Pejë e Mitrovicë? Po rrugën për Gjilan, a kish raportu se e ka përfundu për të 13-ën herë?”, ka shkruar Bajrami.
Deputetja e LDK-së ka vënë në pikëpyetje edhe përmbushjen e zotimeve për rezervat shtetërore, furnizimin e spitaleve me barna, ndërtimin e hekurudhave dhe digave, bashkimin kombëtar dhe kërkimfaljen nga Serbia.
Ajo ka kërkuar llogari edhe për mënyrën e shfrytëzimit të rreth 20 miliardë eurove, të cilat, sipas saj, Kurti i ka pasur në dispozicion gjatë qeverisjes.
“Çka kish raportu se ka përfundu me gjithë ato taksa që kanë pagu qytetarët? Çka ka ndodhë me premtimet e tij? Çka presin qytetarët përpos rënies së çmimit të biletave me ikë në Gjermani?”, ka shkruar Bajrami.
Reagimi i saj vjen pasi kryeministri Kurti publikoi dokumentin me arritjet e pretenduara të Qeverisë Kurti 2, duke veçuar rritjen ekonomike, rritjen e pagave, punësimin dhe mbështetjen sociale për qytetarët.
Burimi: botasot.info


