Nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka folur për ftesën që presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ua ka bërë partive politike për të enjten.
Kica-Xhelili kritikoi qasjen e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila ka thënë se nuk do t’i ndryshojnë pozicionet e tyre.
“Në ftesën për të enjten, mirë është të diskutohet, mirë është të tentohet të bëhet një zgjidhje nga ky ngërç, por kam një dilemë sepse dëgjova që PDK-ja tha se nuk i ndryshojnë pozicionet e tyre. Ne mendojmë se duhet të shkojmë një qeveri të opozitës për të cilën s’ka votë. Nuk e kuptova logjikën”.
“Nuk mund të shkosh të ulësh me të gjithë për t’iu thënë ‘ti nuk je, ti nuk je, unë jam me këtë por hajde ulemi bashkë’”, tha ajo .
Tutje, ajo u shpreh se të enjten, Lidhja Demokratike do ta shfrytëzojë takimin që ta adresojë idenë e krijimit të një qeverie tranzicionale kombëtare.
“Unë e mirëpres çdo gatishmëri politike të partive që të ulen, por nuk e kam të qartë se si po mundohen ta kalojnë këtë ngërç institucional me qëndrime të njëjta”.
“Të enjten LDK-ja do ta shfrytëzojë atë platformë që ta adresojë këtë ide politike, të krijimit të një qeverie tranzicionale kombëtare, që për sytë tonë është mundësia e vetme e tejkalimit të ngërçit”, tha ajo.
Burimi: botasot.info