Takimet e para mund të jenë të sikletshme, të lodhshme dhe shpesh të mbushura me ankth. Midis pauzave të gjata në bisedë dhe përpjekjeve për të shmangur momentet e sikletshme, shpesh i kthejmë ato në një intervistë pune ose bëjmë pyetje të rastësishme si: “Të pëlqen djathi?”
Sigurisht, jo çdo takim është një eksperiencë e tmerrshme, por shumica e tyre mund të jenë rraskapitëse. Njohja me dikë të ri, përpjekja për të bërë përshtypje dhe mbajtja e bisedës gjallë është një sfidë më vete. Shpesh, në përpjekje për të dalë si “i/e qetë” apo “pa shumë pritshmëri”, shmangim temat që vërtet kanë rëndësi – gjë që mund të na çojë drejt një lidhjeje të paqartë.
Në vend që të improvizoni në moment, është më e udhës të keni disa pyetje në mendje, që jo vetëm do ta bëjnë bisedën më të rrjedhshme, por do t’ju ndihmojnë të njihni më mirë personin përballë. Ja disa pyetje që mund t’i përdorni për ta çuar takimin në një nivel tjetër:
1. Filloni me biseda të lehta
Para se të hyni në tema më të thella, është e rëndësishme që të krijoni një atmosferë komode. Pyetjet e mëposhtme janë të thjeshta, por mund të zbulojnë shumë rreth humorit dhe interesave të personit tjetër:
Çfarë lloj muzike dëgjon dhe cili ishte koncerti i fundit ku ke qenë?
Kur udhëton, preferon një itinerar të planifikuar apo një qasje më spontane?
Cila është diçka që mezi po pret ta bësh këtë vit?
Cilët janë tre serialet e tua të preferuara të të gjitha kohërave?
Si duket një fundjavë tipike për ty?
2. Njihni vlerat e tyre
Shumë njerëz i japin më shumë rëndësi kimisë sesa përputhshmërisë në vlera dhe objektiva. Por një tërheqje e fortë nuk garanton suksesin e një lidhjeje afatgjatë. Nëse dëshironi të kuptoni më shumë për mendësinë dhe vlerat e dikujt, provoni këto pyetje:
Cilat cilësi vlerëson më shumë në një marrëdhënie romantike?
Sa e rëndësishme është për ty (vendosni një vlerë ose çështje të caktuar, p.sh. pavarësia, siguria emocionale, etj.)?
Si e sheh ndarjen e faturës në fund të një takimi?
Nëse do të mund të përmirësoje një kauzë sociale, cilën do të zgjidhje?
Çfarë roli luajnë familja dhe miqtë në jetën tënde?
Si e balancon jetën personale me atë profesionale?
3. Eksploroni të kaluarën e tyre romantike
Njohja e historisë së tyre të mëparshme mund t’ju japë një ide se si lidhen emocionalisht dhe çfarë presin nga një marrëdhënie e re. Këto pyetje mund të ofrojnë një pasqyrë më të qartë:
A ke qenë ndonjëherë në një lidhje serioze?
Cila ka qenë lidhja jote më e gjatë?
Pse përfundoi lidhja jote e fundit?
Si e mendon marrëdhënien me ish-partnerët pas ndarjes? Je ende mik/mikeshë me ndonjë prej tyre?
Çfarë ke mësuar për veten nga përvojat e tua të mëparshme në lidhje?
Çfarë kërkon në një partner/e, bazuar në përvojat e mëparshme?
Çfarë kanë të përbashkët ish-partnerët ose njerëzit që të kanë tërhequr më shumë?
Duke bërë pyetjet e duhura, takimi juaj nuk do të mbetet në nivelin sipërfaqësor, por do të shërbejë për të kuptuar më mirë nëse personi përballë është vërtet i duhuri për ju. Mos harroni: Pyetjet janë të rëndësishme, por edhe përgjigjet duhet të përputhen me veprimet!
Burimi: botasot.info