Drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Vebi Mujku ka folur për procedurat që duhet kaluar për të adoptuar një fëmijë.
Mujku ka treguar që kjo procedurë ka ndryshuar drastikisht nga e kaluara deri më sot.
Ai ka treguar saktësisht nëpër cilat hapa duhet kaluar një çift për të pasur një fëmijë.
“Është një procedurë jashtëzakonisht strikte dhe ka procedura të veta, e cila ka pasur luhatje ndër vite, sepse nëse flasim para 10-15 vite procedura e pritjes për adoptim ka qenë 6 muaj 1 vjet kurse sot duhet të pritet 7 deri 8 vjet për adoptimin e një fëmije për shkak se nuk kemi fëmijë. Secila familje kalon nëpër të gjithë filterat. Ne e kryejmë pjesën tonë si qendër, secila familje duhet t’i nënshtrohet testit psikologjik, kontrollit shëndetësor, pjesës së financave, të kaluarës kriminale prandaj të gjitha kushtet duhet të përmbushen”, deklaroi ai për insajderi.
Mujku ka sqaruar se si qendra poshtu obligohet për mbikëqyrje edhe për një periudhë të caktuar pas adoptimit të fëmijës.
“Ka inspektim, ka kontrolla. Këto asnjëherë nuk mund të përmbushen vetëm me një raport se familja derisa pret është e obligimi t’i ripërtërije çdo vit dokumentet në mënyrë që të sigurohet. Pas adoptimit ne e përcjellim rastin edhe për 1 vjet dhe më pas gjithçka përfundon. Familja i merr të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë ndaj fëmijës dhe fëmiu i merr të gjitha drejtat për familje, qoftë për trashëgimi deri në arritjen e moshës madhore”, u shpreh Mujku.