Ju nuk mund të jeni gjithë gjërat apo të bëni gjithë gjërat për të gjithë njerëzit.
Një jetë pa kufij do të thotë që rrallëherë të thuash jo, si dhe të konsiderosh ndjenjat e gjithë të tjerëve, përpara atyre të tua. Ja disa prej gjërave që ju ndodhin kur mësoni të vini “kufirin tek thana”
Bëheni më të ndërgjegjshëm për veten tuaj
Vetëdijësimi është arti i njohjes së ndjenjave dhe nevojave të tua, pa u lidhur me ndonjë person apo mjedis. Krijimi i limiteve të tua është në vetvete një akt vetëdijësimi – dhe mund të jetë tejet dobiprurës për mirëqenien tënde. Të vendosësh një kufi do të thotë të pranosh nevojën për një ndarje të shëndetshme mes mendimeve dhe ndjenjave të tua, dhe mendimeve e ndjenjave të të tjerëve. Kufijtë nuk janë pengesa, apo mure.
Bëhesh mik dhe partner më i mirë
Kufijtë të bëjnë të mundur që të “rikarikohesh”. Dhe kur nuk je tërësisht i “shteruar” duke kënaqur të tjerët, ti ke energji për t’ia kushtuar njerëzve që do me të vërtetë. Po kështu, respekton më shumë nevojat e tyre. Nëse ti vetë nuk vendos limite, atëherë të tjerët do i vendosin për ty, ose do të injorojnë fare faktin që ke limite. Studimet kanë treguar se njerëzit me më pak limite janë më të prirur të shkelin limitet e të tjerëve.
Kujdesesh më mirë për veten
Kufijtë të ndihmojnë të vendosësh prioritete për mirëqenien tënde. Nuk është egoizëm që të kujdesesh për veten dhe nevojat e tua, ndërkohë që edhe merr në konsideratë nevojat e të tjerëve. Kjo të bën më efektiv dhe më pak të lodhur.
Je më pak i stresuar
Nëse vazhdimisht lejon nevojat e të tjerëve të diktojnë sjelljen tuaj, nuk ia del dot, sepse praktikisht të gjithë kanë probleme apo stres të përmasave të ndryshme. Pa vendosur një kufi, ne përthithim stresin përreth nesh dhe kështu shterojmë burimet tona psikologjike. Me fjalë të tjera, pa vendosur limitet e tu, ti krijon hapësirë për riskun e përballimit të problemeve të të tjerëve, përtej atyre të tua. Ose më keq, ti i injoron krejt të tuat. Nëse keni vendosur një kufi të arsyeshëm, nuk keni pse të merrni stres shtesë.
Je komunikues më i mirë
Për të vendosur vërtetë limite, duhet të deklaroni atë që mundeni apo nuk mundeni të toleroni. Kjo do të thotë të jeni të qartë dhe koncizë. Shprehja e nevojave të tua do të të ndihmojë të jesh më transparent. Të gjitha këto janë karakteristika të një komunikimi të mirë. Komuniko, në vend që të parashikosh apo të presësh që të tjerët të respektojnë apo kuptojnë limitet e tua. Vendosja e një kufi nuk kërkon një justifikim të gjatë e të sajuar.
Fillon t’u besosh më shumë njerëzve
Njerëzit druhen se mos lëndojnë apo mërzisin të tjerët kur vendosin kufij. Për shumëkënd, dashuria dhe miratimi janë të lidhur me kënaqjen e të tjerëve, dhe vendosja e limiteve nënkupton që po ndërmerr një risk, që të tjerët mos të të duan apo pranojnë. Por me këtë lloj sjelljeje, në fakt po kontrollohesh prej frikës. Shprehja e limiteve ndaj të tjerëve nënkupton që po u beson atyre të menaxhojnë emocionet që ti u përcjell. Dhe më shumë besim do të thotë marrëdhënie më të mira.
Je më pak i zemëruar
Kur nuk ke vendosur kufij, kjo u jep njerëzve fuqi mbi jetën tënde – dhe një gjë e tillë shkakton zemërim. Ne i lëmë njerëzit që t’ia hedhin me gjëra që nuk shkojnë. Dhe pastaj pendohemi dhe mërzitemi. Ka gjithmonë mënyra për të vendosur limite, pa qenë të bezdisshëm. Më e rëndësishmja është të jesh i fortë në bindjen tënde. Bëhu i vendosur pa qenë agresiv. Agresiviteti e hollon mesazhin. Vendosmëria nënkupton që je i arsyeshëm dhe id rejtpërdrejtë, pa u imponuar.
Mëson të thuash JO.
“JO” mund të jetë një fjalë e vogël, por sigurisht që është e fuqishme. Mënyra themeore e krijimit të një kufiri është të heqësh dorë nga gjërat që nuk ke aftësinë t’i kontrollosh. Jeta fillon e të ndryshon kur nis dhe e përdor më shpesh fjalën me dy gërma. Eshtë proces i ngadaltë, por një JO me mirësjellje shumë shpejt hyn në të folurin tënd. Njerëzit reagojnë mirë ndaj ndershmërisë. Ata kuptojnë.
Përfundon duke bërë gjëra që në fakt do që t’i bësh
Imagjinoni jetën tuaj pa detyrimet e panevojshme, e gjitha sepse ti ke filluar të ushtrosh të drejtën tënde për të thënë jo. Limitet të krijojnë hapësirë për më shumë shanse për të bërë punë dhe veprimtarinë që në fakt dëshiron. Nëse vendosni kufij, krijoni shanse për shumë të mira në jetën tuaj.
Bëhesh një person më mirëkuptues
Në fakt njerëzit më të dhembshur dhe të kuptueshëm janë ata që vendosin kufij. Dhe ka kuptim: Kur je i dhembshur dhe i dashur ndaj vetvetes, për atë që mund të tolerosh, ti bëhesh më i mirë në shprehjen e kësaj tek të tjerët, të cilët kanë kufijtë e tyre që duan t’i ndjekin.
Një jetë më e përmbushur, një personalitet i ngrohtë dhe marrëdhënie më të mira: Të gjitha sepse vendos kufij të shëndetshëm për veten.