Fshatrat e Komunës së Vushtrrisë, Samadrexha e Maxhunaj dalin të jenë më të prekurat nga vërshimet që ndodhën si pasojë e reshjeve të fundit, ndonëse nuk janë të bllokuara totalisht.
Zyrtari nga Drejtoria për Mbrojte dhe Shpëtim (DMSH) e kësaj komune, Agim Miftari tha se deri më tani janë disa qytetarë të vendit që kërkuan ndihmën e komunës.
“Pas krijimit të ekipit emergjent dhe publikimit të numrave kontaktues për ndihmë të qytetarëve, janë bërë disa thirrje kryesisht për bodrume të mbushura me ujë dhe dëme të tjera shtëpiake. Gjatë ditës pritet të evidentohen dhe vlerëson dëmet e personave kontaktues dhe pastaj tu ndihmohet atyre”, tha Miftari.
Ndonëse dëmet janë të konsiderueshme në këtë komunë, për çka edhe kryetari, Ferit Idrizi shpalli gjendjen emergjente, deri më tani nuk është ndërprerë mësimi në ndonjë shkollë.
“Pavarësisht se ka disa lokacione të vërshuara nga reshjet e mëdha të shiut, të gjitha shkollat e vendit janë duke mbajtur mësim normalisht dhe deri më tani nuk ka ndonjë problem të evidentuar”, shtoi Miftari.