Këshilli i Mandateve diskuton kërkesën e prokurorisë për arrestimin e Ahmetajt

July 11, 2023
min lexim

Në Shqipëri, Këshilli i Mandateve u mblodh sot pasdite për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për të marrë autorizimin për arrestimin e ish zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Ky i fundit akuzohet për korrupsion, mosdeklarim apo fshehje të pasurisë si dhe për pastrim parash. Hetimet, sipas Prokurorisë së Posaçme, kanë zbuluar lidhje të ngushta të zotit Ahmetaj me dy sipërmarrësit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët nënshkruan kontrata me institucionet shqiptare për koncensionet e trajtimit të mbetjeve në Elbasan, Fier dhe Tiranë.

Ish zëvendëskryeministri Ahmetaj zgjodhi të mos merrte pjesë personalisht në mbledhjen e pasdites së sotme të Këshillit të Mandateve të parlamentit, duke dërguar dy avokatët e tij. Në mbledhje, Prokuroria e Posaçme u përfaqësua nga drejtuesi i saj Altin Dumani, i cili ka firmosur dhe kërkesën për autorizim për arrestimin e zoti Ahmetajt dhe ushtrimin e kontrollit në banesën e tij.

Kërkesa erdhi pasi nga hetimet e kryera nga Prokuroria, për çështjen e inceneratorëve, ish zëvendëskryeministri rezulton të jetë përfshirë në disa vepra penale. Ndërsa ka mohuar publikisht njohjet me dy sipërmarrësit kryesorë që përfituan kontratat koncensionare në Elbasan, Fier e Tiranë, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, hetimet kanë zbuluar në të kundërtën, lidhje të ngushta mes tyre, të shtrira ndër vite. Në të paktën 6 raste të cilat konsiderohen nga Prokuroria e Posaçme si akte korruptive, emrat e dy biznesmenëve rezultojnë të qëndrojnë pas blerjeve, nga ana e personave të tjerë, të katër apartamenteve dhe dy garazheve në periferi të Tiranës, të shitura nga zoti Ahmetaj më një vlerë prej 440 mijë eurove.

Po ashtu mbi 30 mijë euro janë shpenzuar prej Zotos dhe Mërtirit për të financuar udhëtime apo qëndrime në hotele të shtrenjta, të ish zëvendëskryeministrit apo njerëzve të afërt me të. Në dosjen e Prokurorisë, janë zbardhur komunikimet përmes postës elektronike me hotele të shtrenjta, në qytete të ndryshme të Europës, për prenotimin e qëndrimit në to, të zotit Ahmetaj, apo dhe personave të tjerë të afërt me të. Datat për të cilat janë bërë rezervimet, koncidojnë me udhëtimet jashtë vendit të ish zëvendëskryeministrit dhe kthimin në atdhe.

Në mars të këtij viti Prokuroria sekuestroi dy vila, një në Hamallaj dhe një tjetër në bregdetit jugor, në Palasë, në një nga komplekest me të shtrenjta. E para ishte në emër të bashkëjetueses së zotit Ahmetaj, dhe sërish në prapaskenë, sipas prokurorisë, qëndron sipërmarrësi Zoto. Ndërsa vila tjetër në Palasë, figuron në emrin e një shoqeje të ish bashkëshortes së Ahmetaj, ndërsa porositësi fillestar rezulton sipërmarrësi Mond Bega. Prokuroria ka zbuluar faktet se si punimet për vilën ndiqeshin nga një studio e Interior design, me porosi të ish bashkëshortes, dhe se rasti konsiderohet si fshehje e pasurisë.

Transaksionet apo pagesat pas të cilave qëndrojnë dy biznesmenët cilësohen nga prokuroria si përfitime të parregullta, nga ana e zotit Ahmetaj, të cilat kanë shërbyer që t’i mundësojnë Zotos dhe Mërtirit lidhjen e kontratave koncensionare.

Në dokumentin dorëzuar nga Prokuroria në parlament renditen po ashtu dhe akte të shumta ligjore dhe vendime qeverie të propozuara nga zoti Ahmetaj në mbështetje të procedurave për të tre projektet e inceneratorëve. Gjë që sipas Prorkurorëve “tregon më së qarti se roli i tij ka qene i tillë që, përveçse nuk është bërë pengues, ekziston dyshimi i arsyeshëm i mbështetur në prova, se është shpërblyer për çdo miratim të dhënë prej tij”, vlerëson Prokuroria e posaçme.

Faktet e paraqitura në dokumentin drejtuar parlamentin, ngrejnë dyshime për implikimin e një rrethi të gjerë personash, privatë dhe funksionarë të shtetit, jo vetëm për rastin e Elbasanit dhe Fierit por dhe për inceneratorin e Tiranës, ku hetimet nuk janë mbyllur ende.

Mbledhja e Këshillit të Mandateve, është zhvilluar me dyer të mbyllura, në respekt të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për ruajtjen e hetimeve. Këshilli do të duhet të hartojë një raport në bazë të së cilit do të vendosë nëse do i hapë rrugën ose jo arrestimit. Socialistët nuk kanë patur asnjë reagim zyrtar për kërkesën e Prokurorisë, ndonëse bëhet fjalë për një emër i cili deri një vit më parë, shihej si një ndër figurat kyçe të qeverisë, por dhe të Partisë socialiste. Por në raste të ngjashme ata i janë përmbajtur pozicionit se nuk bëhen mburojë politike për askënd që duhet të ballafaqohet me drejtësinë./VOA

 

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Zbulohet titulli, kopertina dhe data e publikimit të librit të Britney Spears “The Woman in Me”

Story i radhës

Sanksionimi nga SHBA/ Bytyçi: Ngushëllime Edit, Batonit dhe gjithë vasalëve të Aleksandër Vulin

Të fundit nga

Goditje e bujshme e Barcelonës

Barcelona duket se ka bërë një goditje të bujshme teksa ka siguruar firmën e një lojtari të cilin e kërkonin të gjithë klubet e mëdha të Europës. Gazetat katalanase ”Sport” dhe :”Mundo
ShkoLartë