17 shkurti, dita e Pavarësisë së Kosovës, të shpallet Festë Zyrtare e Shqipërisë. Është kjo kërkesa që Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i ka drejtuar Kuvendit.
KASH vlerëson se 17 shkurti është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë kombëtare dhe për të cilën kanë kontribuar shqiptarët anembanë botës, me mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve, BE-së, NATO-s dhe vendeve të tjera aleate dhe mike.
“Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i ka drejtuar një kërkesë zyrtare Kuvendit, më dt. 21 Shkurt 2023, për të ndërmarrë nismat përkatëse ligjore për ta shpallur këtë datë Festë Zyrtare të Republikës së Shqipërisë.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë beson se një vendim i tillë do të gëzonte dhe do të mbështetej nga çdo shqiptar kudo ku jeton, pavarësisht bindjeve politike”, thuhet në kërkesë.