Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar kërkesën e Fran Marashit për kundërshtimin e vendosjes së tij në regjim të posaçëm në burgun e sigurisë së lartë.
Marashit kërkoi të dilte nga regjimi ‘41 biss’, aty ku mbahet i izoluar prej 13 dhjetorit të vitit 2024.
Ai u dënua nga GJKKO muajin e kaluar, me burgim të përjetshëm, si i përfshirë në masakrën e Urës Vajgurore, të 17 qershorit 1997, ku u vranë 4 policë dhe u plagosën 6 të tjerë.
Vendimi, i marrë më 30 prill 2025 nga gjyqtari Erjon Bani, vjen pas kërkesës së paraqitur nga Marashi më 16 prill, ku ai kundërshtonte Urdhrin nr. 620 të Ministrit të Drejtësisë, të datës 13 dhjetor 2024, që e vendoste atë nën kufizime të veçanta në ushtrimin e të drejtave në burg.
Sipas Gjykatës, kërkesa e Marashit është paraqitur jashtë afatit ligjor dhe për këtë arsye nuk është pranuar për shqyrtim.
Burimi: botasot.info