Komisioni për Legjislacion, ka pranuar një kërkesë nga deputeti Visar Korenica për verifikimin e votave të dy projektligjeve që kanë kaluar në seancën e Kuvendit, me pretendimin se nuk kanë pasur kuorum për tu votuar.
Kryetari i Komisionit për Legjislacion Adnan Rrustemi, tha se bëhet fjalë për projektligjin për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor si dhe projektligjin për tekstet shkollore.
Me këtë rast, Rrustemi tha se kërkesa e deputetit Korenica nuk është përgjegjësi e komisionit për Legjislacion dhe se kjo situatë është më shumë problem teknik.
Rrustemi: Verifikimi i dy projektligjeve të votuara pa vota nuk është punë e komisionit për Legjislacion
“Kam konstatuar që çështja nuk bie në fushëveprimtarinë e Komisionit për Legjislacion, nuk bëhet fjalë për interpretim të rregullores, shkelje të ndonjë të drejte të deputetit për të marrë pjesë në debate, replika apo në procese të votimit, çështja është krejtësisht teknike në verifikimin e votave në seancë në ditën kur janë votuar këto projektligje. Po të konstatohet që një ligj miratohet me 31 vota për me një seancë ku janë 60 deputet, natyrisht që do të përbënte objekt interpretimi dhe të thonim që kërkohen 61 vota…… Ka pretendime për numërim të pasaktë të deputetëve dhe ky duhet të jetë krejtësisht problem teknik administrativ i kuvendit dhe kryesin e kuvendit për të vërtetuar se a kanë qenë 61 deputet apo 60 deputetë”, tha Rrustemi.
Ndërkaq, deputetit i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa theksoi se kjo çështje nuk duhet anashkaluar dhe duhet të shkojë në seancë plenare në Kuvend, pasi sipas tij të dy ligjet në fjalë nuk mund të zbatohen pa kuorum.
Beqa tha se një rast i tillë është skandal.
Beqa: Kjo çështje duhet të diskutohet edhe në seancë plenare
“Kjo çështje duhet të diskutohet edhe në seancë plenare sepse nuk mundet me shkuar tutje me zbatuar ligje pa vota, nëse është pa vota, nuk e di a është me vota ose jo. 28:57 Dëgjo, deputet, kjo nuk është politike, kjo është skandal, nëse ne i zbatojmë se si ka marrë votat për Kuvendin atëherë i humb kredibeliteti, ne një përgjigje duhet me e pas si Kuvend i Republikës së Kosovës. Deputeti ka pas të drejt kur iu ka drejtuar komisionit përkatës kur ka bërë kërkesë sepse nuk ka ku të drejtohet, ne mundemi me një shkresë me ju thënë kryesisë autorizoje administratën, sepse është shqetësim dhe të konstatojmë se a ka pas kuorum ose jo, si mundemi me mbajt seancë tjetër kur po na konteston dy ligje të seancës paraprake”, tha Beqa.
Ndërsa, anëtari i komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Artan Abrashi tha se kjo çështje e dy projektligjeve të votuara ‘pa kuorum’ nuk është çështje e komisionit.
Abrashi: Çështja e dy projektligjeve të miratuara pa vota nuk është çështje e komisionit
“Mendoj që kërkesa ka ardhur në adresë të gabuar, po flitet për një kërkesë që ka të bëj më çështje teknike. Në raste kur ngritën dyshime duhet të ofrohet një adresë por komisioni nuk është adresa, në raste të mënyrave teknike dhe elektronike e bënë administrata dhe jo komisioni”, tha Abrashi.
Ky diskutim është shtyrë për mbledhjen e radhës pasi anëtarët e komisionit presin që çështja e projektligjit për shëndet riprodhues dhe tekste shkollore duhet të trajtohet nga kryesia e Kuvendit.
Ndërkaq, në mbledhjen e mbajtur janë themeluar edhe tre grupe të punës për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, grupi për mbikëqyrjen e zbatimit të Kodit i Drejtësisë për të Mitur si dhe grupit të punës për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale.