Këshilli për Parandalimin e Dhunës në Sport kërkon ndalimin pjesëmarrjes së tifogrupeve në ndeshjet e basketbollit.
Pas incidenteve të ndodhura të dielën në ndeshjen finale të Superkupës së Kosovës ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Trepçës, ku u përleshën mes vete tifozeritë e të dy skuadrave si pasojë e të cilave pati të lënduar, në mesin e të cilëve edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, Këshilli për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive ka mbajtur një mbledhje urgjente ku ndër të tjera ka rekomanduar që të ndalohet pjesëmarrja e tifozëve në mënyrë të organizuar në të gjitha ndeshjet e basketbollit.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive, të mbajtur sot, anëtarët e Këshillit i kanë trajtuar me seriozitetin dhe urgjencën maksimale incidentet e shkaktuara.
Në pikën e parë të vendimit të tyre thuhet:
“Kërkohet të ndalohet pjesëmarrja në mënyrë të organizuar dhe me çfarëdo shenje dalluese e të gjitha grupeve të tifozëve në ndeshjet e basketbollit, të cilat organizohen nga Federata e Basketbollit të Kosovës, deri në një njoftim tjetër”.
Më tutje, ky këshill ka kërkuar edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që palestrat sportive të pajisen me kamera të sigurisë.
Këto janë katër pikat e rekomanduara nga Këshilli për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive
1 Kërkohet të ndalohet pjesëmarrja në mënyrë të organizuar dhe me çfarëdo shenje dalluese e të gjitha grupeve të tifozëve në ndeshjet e basketbollit, të cilat organizohen nga Federata e Basketbollit të Kosovës, deri në një njoftim tjetër”.
2. Kërkohet nga të gjitha grupet e tifozëve të cilët deri më tani nuk janë regjistruar tek Departamenti i Organizatave Joqeveritare (DOJQ) në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ta bëjnë këtë gjë në afatin më të shkurtër kohor, dhe pas regjistrimit ta deponojnë listën me emrat e kryesisë dhe emrat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit të OJQ-së tek Drejtoria për Sport e Komunës përkatëse;
3. Kërkohet nga Federata e Basketbollit të Kosovës që të aplikojë me rigorozitetin maksimal të gjitha dispozitat normative përkatëse që janë në kuadër të Propozicioneve të Garave të FBK-së.
4. Kërkohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që ta përfshijë në planifikimin buxhetor për vitin 2023 vendosjen e sistemit të kamerave të sigurisë në të gjitha palestrat sportive, ndërsa në vazhdim të procesit vendosja e kamerave të sigurisë të bëhet edhe në të gjitha stadiumet e futbollit;