Në një vend, ku kujtimet e katastrofës bërthamore të Çernobilit janë ende të gjalla, frika nga një tjetër fatkeqësi e ngjashme duket se është normale. Qytetarët në Zaporizhja – qytet në juglindje të Ukrainës, ku ndodhet centrali më i madh bërthamor në Evropë – shprehen të tmerruar nga luftimet dhe granatimet në dhe përreth kompleksit bërthamor.
“Sigurisht që kam frikë. Të gjithë janë të frikësuar. Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë, çfarë na pret çdo minutë, çdo sekondë”, thotë Maria Varakina, banore e Zaporizhjës.
Nga frika e ndonjë incidenti të mundshëm bërthamor, autoritetet në Zaporizhja u kanë shpërndarë banorëve tableta jodi – medikamente që mbrojnë, deri në një masë, nga substancat radiaoktive.
“Duke qenë se qarku ynë ndodhet 50 kilometra larg termocentralit bërthamor në Enerhodar – një zonë që mund të ekspozohet ndaj rrezatimit – ne po shpërndajmë tableta jodi, kryesisht për njerëzit nën 40 vjeç. Atyre që janë mbi 40 vjeç nuk u rekomandohen këto pilula”, thotë mjekja Lilia Kolesnik për agjencinë e lajmeve Reuters.
Centrali bërthamor i Zaporizhjës është ndër dhjetë më të mëdhatë në botë. Ai gjeneron rreth 6.000 megavate rrymë, të mjaftueshme për rreth 4 milionë shtëpi. Gjendet rreth 550 kilometra në juglindje të kryeqytetit të Ukrainës, Kiev. Rusia ka marrë kontrollin e tij në fillim të luftës së saj, por centrali vazhdon të operohet nga stafi ukrainas.
Javëve të fundit, dy vendet kanë akuzuar njëra-tjetrën për sulme në dhe pranë centralit. Të dyja pretendojnë se tjetra po planifikon provokime. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se sulmet ruse kanë shkaktuar ndërprerje disaorëshe të rrymës në central, më 25 gusht.
“Çdo minutë që ushtria ruse qëndron në centralin bërthamor, është rrezik për katastrofë globale nga rrezatimi”, ka thënë Zelensky.
Rusia i ka mohuar këto pretendime.
“Regjimi i Kievit vazhdon aktet e terrorizmit bërthamor në centralin bërthamor të Zaporizhjës. Gjatë 24 orëve të fundit, artileria e forcave të armatosura ukrainase ka granatuar uzinën tri herë”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov, më 27 gusht.
Ankthi më i madh është për atë që mund të ndodhë nëse centrali sulmohet me raketa ose predha artilerie?! Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore ka bërë thirrje për përmbajtje maksimale, duke thënë se granatimet rreth centralit bërthamor mund të çojnë në “katastrofë bërthamore”. Agjencia ka dërguar një ekip inspektorësh atje për të vlerësuar situatën.
MV Ramana, profesor në Shkollën e Politikave Publike dhe Çështjeve Globale të Universitetit të Kolumbisë Britanike, thotë për programin Expose se, teorikisht, janë tre skenarë që mund të shkaktojnë rrjedhje të materialit radioaktiv nga Zaporizhja.
I pari do të ndodhte në rast të sulmit të drejtpërdrejtë mbi reaktorët e tij; i dyti, në rast të dëmtimit të pishinave ku mblidhet karburanti i shpenzuar, që është radioaktiv, dhe i treti në rast se centrali mbetet pa rrymë.
“Zaporizhja është një nga centralet më të mëdha bërthamore dhe i pari që bëhet shënjestër e një sulmi të drejtpërdrejtë ushtarak. Më herët, ushtria e Izraelit ka shkatërruar reaktorin bërthamor Osirak në Irak, por ai ka qenë shumë më i vogël dhe nuk ka qenë funksional si Zaporizhja. Zaporizhja ka sasi shumë më të madhe të asaj që ne quajmë inventar radioaktiv. Nëse ky inventar radioaktiv përhapet në atmosferë, atëherë mund të kemi situatë mjaft katastrofike”, thotë profesori Ramana.
Në vitin 1986 në Ukrainë ka ndodhur aksidenti më i keq bërthamor në historinë e njerëzimit. Një test sigurie në centralin e Çernobilit ka dalë jashtë kontrollit, duke shkaktuar shpërthim dhe zjarr në njërin prej reaktorëve dhe duke lëshuar sasi të mëdha radioaktiviteti në atmosferë.
Qindra mijëra njerëz brenda dhe jashtë Ukrainës kanë qenë të ekspozuar. Gjatë viteve, shkalla e vdekshmërisë mes tyre është rritur, ashtu si edhe shkalla e invaliditetit.
Po, cilat janë gjasat që Zaporizhja të shndërrohet në një Çernobil? Për Exposenë përgjigjet Ross Peel, nga Qendra për Shkencë dhe Studime të Sigurisë në Kolegjin Mbretëror të Londrës.
“Mendoj se nuk ka gjasa që centrali të shpërthejë. Ka shumë masa sigurie dhe struktura mbajtëse përreth, që e parandalojnë një gjë të tillë. Megjithatë, gjërat mund të ndodhin. Nuk them kurrë se është e pamundur. Sepse, sa herë që kemi pasur incidente bërthamore në të kaluarën, aty janë kombinuar disa faktorë që kanë qenë të paparashikueshëm. Askush nuk e ka ditur se ato do të ndodhnin përpara se të ndodhnin”, thotë Peel.
Centrali në Zaporizhja është ndërtuar në vitet 1980 dhe kjo e bën atë relativisht të ri. Shumë ekspertë pajtohen se centralet moderne bërthamore janë jashtëzakonisht të përforcuara. Pas ngjarjeve të 11 Shtatorit në SHBA, centralet bërthamore janë testuar për sulme të mundshme, që kanë përfshirë avionë të mëdhenj, dhe është zbuluar se ato janë kryesisht të sigurta.
Peel thotë se një rrezik në Zaporizhja, potencialisht më serioz, mund të shfaqet nëse në central ndërpritet rryma – qoftë edhe aksidentalisht. Pa rrymë mund të dështojë sistemi i ftohjes dhe karbuarnti radiokativ të shkrihet dhe të rrjedhë.
“Për aq kohë sa ka energji elektrike nga jashtë, centrali mund të operojë në mënyrë të sigurt. Nëse energjia ndalet, reaktorët duhet të mbyllen, si masë paraprake për sigurinë. Por, edhe kur mbyllen, ata duhet të ftohen. Në këtë rast, pompat ftohëse do të funksiononin me naftë nga gjeneratorët rezervë. Por, në Zaporizhja, disa burime thonë se gjeneratorët nuk punojnë siç duhet”, thotë Peel.
Agjencia për çështje bërthamore e Ukrainës ka thënë se tri nga katër linjat e transmetimit të energjisë elektrike në Zaporizhja, janë dëmtuar nga raketat. Agjencia ka pranuar se gjeneratorët me naftë nuk do të mund të ofrojnë zgjidhje afatgjate.
Shqetësim të ngjashëm për rrymën shpreh edhe profesori MV Ramana. Ai thotë se në Zaporizhja mund të përsëritet skenar i ngjashëm me atë të Fukushimës. Në këtë central të Japonisë, në vitin 2011, një cunami masiv ka ndërprerë furnizimin me rrymë dhe dështimi i sistemeve të ftohjes ka shkaktuar rrjedhje radioaktive.
Nëse një incident i tillë apo tjetër ndodh në Zaporizhja, çka pastaj? A përhapet dhe si përhapet ai material radioaktiv? Shpjegon Ramana:
“Po, absolutisht. Varet nga era, nga shiu, por edhe nga sasia e materialit radioaktiv që lëshohet në atmosferë. Është vështirë të parashikohet. Ka pasur simulime që njerëzit kanë kryer dhe disa prej tyre kanë treguar përhapje të konsiderueshme të kontaminimit. Por, natyrisht, pjesa më e madhe e ndotjes [radioaktive] do të mbetej në Ukrainë, sepse është më afër centralit”.
Ekspertët thonë se kërcënim në vete paraqet edhe faktori njeri. Sipas tyre, stafi ukrainas në Zaporizhja punon me orar të stërzgjatur dhe nën stres prej se forcat ruse kanë marrë kontrollin e centralit në muajin mars. Ka frikë se ata nuk do të jenë në gjendje të reagojnë shpejt, nëse diçka shkon keq në central.
“Do të shqetësohesha nëse materialet bërthamore, potencialisht, nxirren nga centrali ose përdoren për armë bërthamore. Por, kjo e fundit nuk besoj se ndodh. Unë më shumë shqetësohem nëse ato nxirren jashtë, për të krijuar një narrativë false, se gjoja Ukraina do t’i përdorë materialet bërthamore. Rusia ka bërë përpjekje [të krijojë këtë skenar] qysh para fillimit të këtij konflikti”, thotë Ross Peel, nga Qendra për Shkencë dhe Studime të Sigurisë në Kolegjin Mbretëror të Londrës.
Rusia i ka hedhur poshtë këto pretendime, të bëra edhe nga disa zyrtarë perëndimorë. Megjithatë, pak ditë pas nisjes së pushtimit të Ukrainës, presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar vendosjen e forcave të tij bërthamore në gjendje gatishmërie.
Një letër e nënshkruar nga dhjetëra punonjës të centralit, në muajin gusht, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndalet dhe të mendojë. “Ne mund ta kontrollojmë profesionalisht divizionin bërthamor, por ne jemi të pafuqishëm përballë papërgjegjshmërisë dhe çmendurisë së njerëzve”, thuhej në letër.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i ka kërkuar Rusisë që t’i tërheqë trupat dhe të çmilitarizojë zonën përreth centralit në Zaporizhja. Rusia ka refuzuar, duke thënë se një gjë e tillë do ta bënte centralin edhe më të cenueshëm.
Përveç rrjedhjes së mundshme radiokative, në Ukrainë ka edhe kërcënime të tjera bërthamore.
Doktrina ushtarake ruse e lejon përdorimin e armëve taktike bërthamore, deri në 15 kilotonë – të mjaftueshme për të shkatërruar një stadium futbolli dhe çdo gjë tjetër brenda një perimetri prej 1 deri në 3 kilometra. Por, tash për tash, nuk ka asnjë sugjerim se Rusia do ta përdorë një të tillë. Rusia, po ashtu, posedon numrin më të madh të kokave strategjike bërthamore në botë./REL