30
Shkup, 8 mars – Paralajmërimi i BDI-së se nëse cënohet ligji për përdorimin e gjuhëve, i cili rregullon përdorimin zyrtarë të gjuhës shqipe, do të rrezikohej mbajtja e zgjedhjeve lokale, ka ngjallur reagime dhe diskutime të shumta në skenën politike në vend. Analisti politik Bashkim Selmani vlerëson se, edhe pse bojkoti nuk është mënyra më e mirë për të avancuar demokracinë, mund të shërbejë si mjet presioni kur nuk ka kushte të përshtatshme për zgjidhjen e çështjeve të caktuara.
“Është fakt se në përbërjen e të gjitha këtyre përpjekjeve bojkoti i zgjedhjeve lokale është një mekanizëm për të bërë presion ndaj Qeverisë, për arsye se të gjitha të drejtat e shqiptarëve kanë nevojë për avancimin e tyre institucional. Prandaj, edhe bojkoti edhe format e tjera të presionit juridik dhe politik janë të pranueshme dhe reale për opinionin dhe publikun. Ne shpresojmë që këto çështje dhe procese të kenë një mirëkuptim institucional mes Qeverisë dhe të drejtave kolektive, sepse shqiptarët në Maqedoni, edhe pse janë kontribuues të buxhetit, fatkeqësisht nuk e shohin këtë të reflektoj në të drejtat dhe detyrimet e tyre”, ushpreh analisti politik Bashkim Selmani.
Sipas Selmanit procesi për miratimin dhe zbatimin e ligjit për gjuhët jo vetëm që ka ngecur, por edhe vetë ligji nuk përmban mekanizma të qartë për zbatimin e tij.
“Kur ligjvënësi nuk ka disponimin për të zgjidhur një çështje kaq të rëndësishme, atëherë shpesh lindin përplasje që pastaj reflektojnë edhe në terren. Për sa i përket kërcënimeve për çështjen e gjuhëve, kjo është një nga strategjitë dhe duhet të jetë një formë presioni. Megjithatë, kjo formë presioni deri më tani nuk ka mjaftuar, sepse historia e pozitës dhe opozitës shqiptare tregon se asnjëherë nuk kanë përfituar përmes protestave në rrugë apo presioneve të tjera. Të gjitha këto mekanizma, siç duket, mbeten mes partive dhe nuk arrijnë të realizojnë detyrimet dhe interesin mbarëkombëtar. E drejta e gjuhës dhe të drejtat e tjera kolektive janë të drejta që nuk lejohen të tregtohen apo të pezullohen”, theksoi Selmani.
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti dit më parë paralajmëroi mundësinë e mosvendosjes së kutive të votimit për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në tetor, nëse preket ligji i gjuhëve.
Në reagimin e tij Kryeministri, Hristijan Mickoski, ka thënë se kushtëzimi i zgjedhjeve me vendimet e Gjykatës Kushtetuese është ndërhyrje në sistemin gjyqësor. Ndërsa Koalicioni VLEN thotë se bojkoti nuk ka të bëjë me “deshqiptarizimin” e pretenduar nga BDI, por është pasojë e përçarjeve brenda Frontit Evropian.
BURIMI: zhurnal.mk