Policia boshnjake arrestoi të hënën presidentin e gjykatës shtetërore dhe ish-kreun e agjencisë së spiunazhit për shpërdorim të dyshuar të detyrës dhe akte të tjera kriminale, tha zyra e prokurorit të shtetit në një deklaratë.
Oficerët e Agjencisë Shtetërore të Informacionit dhe Mbrojtjes (SIPA) arrestuan presidentin e gjykatës, Ranko Debevec dhe ish-kreun e agjencisë së inteligjencës OSA/OBA, Osman Mehmedagic me urdhër të prokurorit
“Personat e përmendur dyshohen për veprën penale shpërdorim detyre, të lidhur me vepra të tjera kriminale të renditura në kodin penal të Bosnje-Hercegovinës,” thuhet në deklaratë, duke shtuar se nuk do të jepet asnjë informacion i mëtejshëm, shkruan Reuters.
Debevec ka kryesuar gjykatën shtetërore që nga viti 2017.
Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial kishte kryer më herët një hetim disiplinor ndaj Debevecit mbi sjelljen e tij, brenda dhe jashtë gjykatës, që këshilli ka thënë se ishte duke dëmtuar reputacionin e zyrës së tij.
Debevec thuhet se ishte takuar me Mehmedagic jashtë gjykatës në kohën kur kundër tij u ngritën kallëzime të veçanta penale. Ai akuzohej gjithashtu se kishte dhënë informacione mashtruese për pronën e tij.
Akuzat disiplinore kundër tij u hodhën më vonë.
Në mars, Mehmedagic u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara për gjoja minimin e institucioneve demokratike dhe rrezikimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Ai akuzohej se kishte keqpërdorur kompaninë shtetërore të telekomunikacionit për të përfituar një parti politike dhe se kishte bashkëpunuar me rrjete kriminale për pasurim personal dhe partiak.
Burimi: GAZETA.MK