“Jemi të detyruar që të shpresojmë”.
Kështu e vlerëson deputeti opozitar, Kastriot Rexhepi në “10 minuta” në TV21 situatën e re të krijuar në Kuvend, ku në vend të Talat Xhaferit të BDI-së, erdhi Jovan Mitrevski nga LSDM-ja.
Rexhepi shton se vendimtare nëse do të realizohet qëllimi – marrja e vendit në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KShZ), është data 7 shkurt, kur pritet të mbahet seanca plenare.
Në këtë seancë, siç zbulon Rexhepi, u është premtuar nga Mitrevski se do të vendoset edhe votimi i anëtarit të shtatë të KShZ-së.
Ndërkohë, kryetarja e Komisionit për zgjedhje dhe emërime duhet të thirr seancë për caktimin e anëtarit të propozuar, sqaron më tej Rexhepi.
“Vihet në pikëpyetje kredibiliteti i procesit zgjedhor, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për anëtarin e KSHZ-së ku ka një përbërje prej 7 anëtarësh në raport 4-3, në këtë rast mund të ketë 4-2 ose shumë shpesh mund të ndodhte që të ketë vota 3-3 dhe mos kishte vendime të fuqishme për funksionimin e KShZ-së. Po ashtu edhe anëtarët në këshillat zgjedhor nëpër vendvotime. Në këtë rast do të përjashtohet opozita shqiptare me mospjesëmarrje. Jovan Mitrevski na tha se do të mundohet që ky proces të rrumbullakohet deri në seancën e 7 shkurtit, e cila është e thirru duke u plotësuar edhe me këtë pikë. Ndërkohë, kryetarja e Komisionit për zgjedhje dhe emërime, Marija Gjeorgievska duhet të thirr vazhdimin e seancës së Komisionit ku do të konstatohet kandidati që do të shkojë në seancë plenare për t’u votuar”, deklaroi Rexhepi/TV21
Burimi: tv21