Punëtorët e Pallatit të Drejtësisë të cilët janë duke protestuar që nga java e kaluar për mungesën e ajrosjes, klimatizimit dhe mungesës së ujit në këtë objekt po paralajmërojnë përshkallëzim të veprimeve sindikale.
Sipas tyre kushtet në këtë objekt janë të rënda, ndërsa thonë se institucionet përgjegjëse nuk po ndërmarrin asgjë në këtë drejtim.
Kërkesa kryesore e tyre është hapja e dritareve të objektit.
Kryetari i Shoqatës Sindikale të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Naim Rrustemi thotë se shqetësimet e tyre kanë nisur prej kur janë zhvendosur në këtë objekt.
Rrustemi thotë se kushtet e rënda në Pallat të Drejtësisë kanë ndikuar që edhe të keqësohet gjendja shëndetësore e shumë punëtorëve.
“Këtë vit ne kem pas në vazhdimësi alivanosje të punëtorëve gjë që është dashur edhe intervenimi i ambulanteve emergjente për shkak të ajrimit jo të mirë, për shkak jo klimatizimit të mirë, për shkak të mungesës së ujit, për shkak të mungesës së ujit edhe në tualete, madje edhe aromatizime më të ndryshme edhe shumë të rënda për shëndetin e njeriut… 02’35 Ky objekt nuk është në rregull sepse edhe ka mungesë të oksigjenit dhe ka mungesë të klimatiizmit… Çka është më e rëndësishme që ne po kemi problem me shëndetin tonë dhe sinqerisht po them që po të kishte pas institucion të mirëfilltë dhe po t’iu bëjnë analizë gjithë punëtorëve të stafit të Pallatit të Drejtësisë analiza shëndetësore po them se kanë me dalë shumë të sëmurë“, theksoi ai.
Rrustemi thotë se kërkesa e tyre kyçe mbetet hapja e dritareve të këtij objekti.
“Nonstop kemi kërkuar të reagohet për shkak të mungesës së oksigjenit, kërkesa jonë ka qenë imediate me i hap këto dritare sepse me klimë nuk po mund t’ia arrijmë, me aromë nuk po mund t’ia arrijmë kështu që e vetmja mundësi është me i hap këto dritare. Unë kam marr informacion se tenderimi veç është bërë në muajin nëntor të vitit të kaluar. Dhe sipas disa fjalëve ofertuese është një firmë nga Istogu mirëpo punët e tenderimit në ministri të MAP-it ende nuk i kanë kompletua sepse veç tenderi është fituar dhe është shpall sipas fjalëve të Këshillit edhe ai Gjyqësor dhe ai Prokurorial kanë participuar me mjete të veta për hapjen e këtyre dritare. Por, zyrtarët e MAP-it nuk e di pse po stagnojnë pse po neglizhojnë me të vërtetë jemi në rrezik”, u shpreh Rrustemi.
Kryetari i Shoqatës Sindikale të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Naim Rrustemi paralajmëron përshkallëzim të protestave nëse nuk reflekton Ministria e Punëve të Brendshme krahas kërkesave të tyre.
“Duke parë edhe volumin e punës dhe ngarkesës fillimisht kemi filluar me protesta prej orës 14:00 deri në 15:40 dhe për këto ditë nuk ka intervenuar dhe nuk kemi marrë kurrfarë lajme, ne do të vazhdojmë për dy-tri ditë kështu, por nëse jo dhe hasim në vesh të shurdhër nga institucionet atëherë do të radikalizohet protesta”, tha ai.
KosovaPress ka tentuar të marrë edhe një përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me kërkesat e punëtorëve të Pallatit të Drejtësisë, por që nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.
Problemi me ajrim në objektin e Pallatit të Drejtësisë është përcjellë që nga viti 2014.