Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla deklaroi nga Kreta se takimi i së shtunës në Hania është i pari i këtyre përmasave që zhvillon një kryeministër shqiptar në këtë ishull.
Në një intervistë televizive, Balla teksa përshëndeti kretanët i ftoi ata të marin pjesë në takimin e së shtunës. Balla falënderoi të gjithë bashkatdhetarët për mbështetjen që po i japin Partisë Socialiste për një mandat historik, jo vetëm për PS-në, por për gjithë Shqipërinë tonë, për të shkuar në etapën e fundit të kurorëzimit të një pune 30 e ca vjeçare, siç u shpreh ai.
Balla deklaroi se diaspora është shpresa dhe besimi që do t’i japë Partisë Socialiste numrin e duhur për një shumicë të cilësuar, duke sjellë në këto zgjedhje një ofertë me plot të rinj.
“Në ekipin tonë kombëtar të 187 kandidatëve ka plot djem e vajza që janë pjesë e një ekipi. Ajo që PS-ja ka në këto zgjedhje është një ripërtëritje me prurje të reja dhe, nëse doni të votoni të rinj, mund t’i gjeni në listat e PS-së. Lajmi më i rëndësishëm i këtyre zgjedhjeve është se çerek milioni bashkatdhetarë do të votojnë për herë të parë, ndaj kanë marrë një peshë historike, sikurse fakti që ky është mandati që do t’i japë çdo shqiptari pasaportën europiane.”-tha Balla.
Balla hodhi poshtë pretendimet për karakterin nepotik në përzgjedhjen e disa kandidatëve, duke thënë se qesharake është të vendosësh babanë në listë, siç po bëjnë disa parti të vogla, dhe jo e kundërta, që brezat e rinj vazhdojnë traditën e etërve.
“Nuk tha njeri gjë se pas George Bush u zgjodh i biri. Qesharake e bën kur je vetë dhe vë babanë në listë. Secili përfaqëson veten e tij, s’ka rëndësi i biri apo e bija e kujt je. Në listat e PS-së është komplet një qasje tjetër. Secili ka një arsye pse është në atë listë. Kemi edhe përfaqësues të diasporës në listën tonë, që kanë arritur sukseset e tyre në përpjekjet për t’u integruar në shoqëritë përkatëse ku emigruan dhe tani kthehen si përfaqësues të denjë të komunitetit që do t’i votojë ata masivisht. Rëndësi ka të mos vendosësh babanë.”-tha Balla.
Balla rikujtoi se Partia Socialiste ka mbështetur reformën për drejtësi.
“Po të mos kishte qenë Partia Socialiste, nuk do të kishte ndodhur ngritja e SPAK-ut, e GJKKO-së dhe të gjitha këto institucione që meritojnë respekt. PS-ja është e vetmja garanci që këto institucione ta bëjnë punën. Përballë është një palë që zotohet se do t’i zhbëjë. Vlen i njëjti parim për rastin Veliaj: sa kohë që s’kemi vendim gjykate, vlen prezumimi i pafajësisë.” përfundoi Balla intervistë në Klan neës nga Kreta ku nesër zhvillohet një takim i madh me shqiptarë me pjesëmarrjen e kryeministrit Rama e më pas turi vazhdon në Athinë”,-tha Balla.
Burimi: botasot.info