Sot ndërroi jetë ish-Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Tina Kaidanow-a.
Gazetari Adriatik Kelmendi ndau intervistën me të në fund të 2006’ës, ku ajo shprehej se statusi final i Kosovës do të jetë “vullneti i popullit”.
Postimi i Kelmendit.
Tina Kaidanow për Rubikon: Statusi – vullnet i popullit dhe garanci për komunitetet
Kelmendi: Në vizitën e fundit në Kosovë, në një takim me redaktorët, ambasadori Wisner ka thënë, po e citoj: “Nuk besoj që dikush në këtë dhomë ka dyshim se çfarë do të jetë statusi final i Kosovës”. Pas takimit e pyeta secilin që ishte i pranishëm në takim dhe secili tha që është pavarësia. Kishte të drejtë z. Wisner për këtë?
Kaidanow: Mendoj se z. Wisner ka thënë atë që të gjithë po e themi. Edhe Grupi i Kontaktit ka thënë që zgjidhja e statusit final do ta marrë parasysh edhe vullnetin e popullit. Duke thënë këtë, diskutimi dhe zgjidhja për statusin final do të marrë parasysh, gjithashtu, garancitë adekuate që bëhen për komunitetet këtu në Kosovë që nuk janë shumicë. Janë edhe shumë faktorë të tjerë që do të ndikojnë në atë se çfarë do të jetë statusi final. Mendoj se njerëzit këtu duhet të jenë shumë të gatshëm që të tregojnë gatishmërinë e tyre. Mendoj se ata duhet të jenë në gjendje të marrin përgjegjësinë për veprimet e tyre vetjake. Dhe do të doja t’i shoh njerëzit pakëz më pak të fokusuar në modalitetet e statusit. Si p.sh., si do të arrihet zgjidhja, kur do të arrihet, çka do të thotë përfundimisht. Duhet të fokusohen më shumë në ardhmërinë e Kosovës. Si do të duket Kosova pas 5 apo 10 vjetësh? Çfarë është ajo Kosovë, të cilën njerëzit dëshirojnë ta shohin?
Kelmendi: Ekziston ndërlidhja e asaj se çfarë do të thotë statusi dhe çfarë do të bëni pas statusit?
Kaidanow: Natyrisht. Kjo është edhe arsyeja pse e kemi ripërsëritur qëndrimin se dëshirojmë ta shohim përfundimin e këtij procesi. Por, janë shumë gjëra për të cilat njerëzit mund të mendojnë pa marrë parasysh datën e saktë në të cilën do të merret vendimi për statusin final. Mund të mendojnë për përgjegjësitë e veta dhe për atë se çfarë personalisht mund të kontribuojnë në atë proces. Secili në Kosovë e ka rolin e vet që duhet të luajë. Secili person, nëse ai ndodhet në fshat, nëse ai ndodhet në qytet, nëse ai është në qeveri. Pa marrë parasysh. Të gjithë ata e kanë formën e vet të përgjegjësisë.
Kelmendi: Shohim se kjo gjë po bëhet?
Kaidanow: Mendoj dhe gjithmonë kam thënë se ka hapësirë për më shumë. Sepse ju dëshironi të jeni në pozitën, populli i Kosovës dëshiron të jetë në pozitën që t’i thotë bashkësisë ndërkombëtare “po, ne jemi të gatshëm”. Çka nënkupton kjo? Kjo nënkupton se nuk ka dhunë, nënkupton se kthimi i komuniteteve pakicë po mbështetet, nënkupton se përparimi ekonomik dhe sundimi i ligjit janë gjërat për të cilat njerëzit po punojnë këtu. Këto janë gjërat që dëshironi t’i shihni. Shpresojmë se i tërë ky rajon do të ecë kah Evropa. Për ta bërë këtë, ekzistojnë standardet e caktuara që duhen përmbushur, pa marrë parasysh nëse flisni për sundimin e ligjit, të drejtat e pakicave, aktivitetet dhe zhvillimi ekonomik. Të gjitha këto gjëra duhet të realizohen. Pa marrë parasysh se çfarë do të sjellë statusi, të gjitha këto procese duhet të lëvizin para.
Kelmendi: Sa prej këtyre që i përmendët shihni se janë duke u realizuar?
Kaidanow: Definitivisht disa po. Mendoj se kemi bërë përparim të konsiderueshëm në standardet, në 13 pikat prioritare të Grupit të Kontaktit. Ekziston një përparim. Dëshirojmë t’i shohim të kompletuara. I kam thënë një audience dje se nuk është aq shumë çështje e notimit strikt, duke thënë se ky standard është i përmbushur apo ai standard nuk është i përmbushur. Secili prej atyre standardeve përfaqëson diçka. Përfaqëson gatishmërinë e Kosovës që të lëvizë përpara. Ka standarde që, për shembull, kanë të bëjnë me çështjet e pronës. Janë çështje të ndjeshme pa marrë parasysh se ku ndodheni në botë. Por, nëse një serb që është larguar dhe dëshiron të kthehet në Kosovë gjen se nuk mund ta rikthejë pronën, kjo paraqet një barrierë, paraqet një pengesë. Kjo tregon se njerëzit këtu nuk janë aq të gatshëm për t’i bërë gjërat që duhet bërë në mënyrë që të ecet përpara. Kjo është arsyeja se pse është e rëndësishme të përmbushen këto standarde. Jo sepse janë abstrakte, ide nocionesh, por, sepse janë ide konkrete që tregojnë se sa Kosova është duke lëvizur në drejtimin e duhur.
Kelmendi: Sipas jush, cilat janë rreziqet e shtyrjes së çështjes së statusit për Kosovën?
Kaidanow: Nuk kam qejf shumë të bisedoj për rreziqet. Sepse, në përfundim secili këtu është i fokusuar, gjë që edhe duhet të jenë, në atë se çfarë përmban e ardhmja e Kosovës. Natyrisht që njerëzit kanë mendime, ashtu apo kështu, se si do të duhet të jetë ajo e ardhme. Për ata njerëz që mendojnë se e ardhmja e Kosovës gjendet në prosperitet dhe në të gjitha gjërat e tilla të mira, përfundimisht duhet të mendojnë se çfarë do t’i dërgojë ata në atë drejtim, cilat janë gjërat e mira për të cilat duhet punuar e që do t’i dërgojnë ata atje. Të gjitha ato gjërat që i përmenda pak më herët. Prandaj, nuk dua të bisedoj për rreziqet. Më shumë dua të bisedoj për përgjegjësitë dhe mendimin e orientuar nga e ardhmja.
Kelmendi: Si e shihni situatën? Ka nevojë që të kihet një rezolutë e qartë e Këshillit të Sigurimit që do ta përmendë emërtimin e statusit të Kosovës, për shembull, pavarësinë? Apo duhet të jetë i hapur për interpretimet?
Kaidanow: Dua të nënvizoj fuqishëm se nuk më takon mua që të vendos lidhur me atë se çfarë do të jetë përfundimisht statusi final.
Kelmendi: Natyrisht. Por, më duhet mendimi juaj për këtë.
Kaidanow: E kuptova. Por, edhe një herë, e tëra që mund të them se do ta përcjellim z. Ahtisaari. Është duke u zhvilluar një proces. Mund të imagjinoni se komentimi i procesit, i detajeve të vogla, nuk na dërgon askund. Ajo vetëm nxit spekulime të reja. Mendoj se nuk është spekulim mjaft produktiv. Sa më shumë që njerëzit të fokusohen në mekanizmat detaj të asaj se çfarë statusi mund të jetë apo mund të mos jetë apo kur do të arrihet, më pak fokusohen në çështjet që me të vërtetë janë me rëndësi.
(Fragment nga intervista me shefen e Zyrës Amerikane në Kosovë është zhvilluar më 27 nëntor 2006)
Burimi: botasot.info