Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë-KEDS, sot ka informuar se është rikyçur largpërçuesi Rugova dhe konsumatorëve u është kthyer furnizimi me energji elektrike.
Sipas njoftimit, shumica e rugovasve janë duke u furnizuar me energji elektrike, ka mbetur vetëm një pjesë e vogël e konsumatorëve, porse sipas KEDS-it, ekipet akoma janë në terren në Rugovë dhe gjatë ditës së sotme pritet që edhe atyre t’u rikthehet furnizimi i rregullt me energji elektrike.
“Prishja në Largpërçuesin Rugova që la pa energji konsumatorët tanë në Rugovë, është gjetur dhe është sanuar tashmë.
Kjo është arritur falë një angazhimi të pashoq të ekipeve tona që ishin vazhdimisht bjeshkëve të Rugovës, duke e sfiduar borën dhe terrenin e vështirë, vetëm e vetëm që konsumatorëve t’u rikthehet energjia elektrike.”, ka bërë të ditur KEDS.